Ramiz Kelmendi flet për LDK-në dhe Vjosa Osmanin,  tregon mënyrën si duhet fituar zgjedhjet

Aktuale

Ramiz Kelmendi flet për LDK-në dhe Vjosa Osmanin,  tregon mënyrën si duhet fituar zgjedhjet

Nga: V.R Më: 2 shtator 2019 Në ora: 20:31

Pjesëtari i LDK-së, njëherit edhe biznesmeni Ramiz Kelmendi, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka deklaruar se lëvizjet nëpër parti, nuk i ka bërë për shkak të interesave të tij personale por ato, siç tha ai, janë bërë për se ishte në kërkim të hapësirës për të kontribuar në zhvillimin ekonomik.

Ai, tha se nuk ka njohuri për Vjosën dhe nuk di nëse do t’ia del mbanë kur të përballet me sfidat por beson se nëse angazhon kapacitetet intelektuale të LDK-së, asaj do t’i ecë puna mbarë.

“Unë jam ekspert i ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik. Nuk jam dhe s’kam qenë kurrë militant i ndonjë partie politike dhe madje ju njoftoj se asnjëherë nuk angazhohem dhe nuk angazhohna për pozita politike në struktura të partisë. Kam lëvizur nëpër parti për të realizuar qëllimet ekonomike të vendit e jo t’mijat. Posedoj të drejtën kushtetuese dhe pastërtinë juridike. Lëvizjet kanë qenë kërkesë e liderëve politik të partive dhe t’ju them drejtën  ndjehem mirë që vlerësohem nga ta, gjithnjë duke pasur qëllim t’i lëvizim kërkesat ekonomike”, tha ai.

Më tej, Kelmendi, theksoi se as pozitën e zv. kryeministrit e filloi me lëvizjet ekonomike për vendin dhe se është i lumtur që asnjëherë s’u përfol për korrupsion.

“Në pozitën e z. kryeministrit i fillova lëvizjet me rëndësi por m’u shkurtua mundësia për t’i vazhduar nevojat e qytetarëve. Në asnjë moment nuk kam përfituar dhe as që pretendoj në të ardhmen. E rëndësishmja është se nuk përfolën për korrupcion sepse kam lëvizur për interesa qytetare e jo personale. Në asnjërën parti s’jam pjesë e korrupsionit. Cilido lider që më ofron mundësi të kontributit shtetërore i bashkë-ngjitem”, tha Kelmendi.

Kelmendi, vijoi duke thënë se taksa ishte lëvizje politike për të sjellë pavarësinë në këmbime të kthimit të tregut.

“Unë personalisht çdo taksë që është vendosur nga shteti e kam respektuar dhe e respektoj edhe këtë të tashmen. Nëse masa e tillë ekonomike sjellë rezultate njohjen e ndërsjellë është shumë pozitive. Por kthimi tregut është në duart e konsumatorit, e jo në duart e politikës. E kam cekur që taksa për asnjë çmim nuk duhet të cenojë marrëdhëniet me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian. Për të vetmen arsye: Ata janë aksionerët kryesor për përmbylljen e pavarësisë”, theksoi ai.

Ramiz Kelmendi, pohoi se ka treguar pavarësi politike sepse nuk ka nevoje për vende pune në institucionet shtetërore.

Ramiz Kelmendi, tha se partia që do të duhej t’i fitoj zgjedhjet është LDK-ja, por se gjithçka varet si e pranon votuesi.

“Qeveria e ardhshme dhe lideret pretendent për të qeverisur vendin në këto zgjedhje kanë një përballje më ndryshe edhe nga mediat dhe moderatoret. Nuk ka premtime boshe për punësime, s’ka premtime boshe për zhvillim, negociata etj. Ne sot përballemi me eksodin më të madh të qytetarëve nga përndjekja e Rankoviqit. Pra përndjekja për Turqi. Kjo është një sfidë që do sfidon pretendentët. Ata nuk e ndalojnë me llojet e njohura të premtimeve. Ata dëshirojnë fakte të qartësuara me shembuj, dhe kjo për mu është sfida më e madhe, pastaj negociatat me Serbinë  dhe çështjet tjera të mëdha”, tha ai.

Kelmendi tha se s’e ka asnjë problem që vajza e tij tenton të merret me politikë. Siç tha ai, ajo është e arsimuar dhe ka të drejtën e plotë të vendos e pavarur.

“Vajza është e rritur, familjar dhe e arsimuar dhe me të drejtë të vendosjes krejtësisht e pavarur, por nuk ka koordinime për me qenë çdo kund”.

Kelmendi, për fund, tha se Vjosën s’e njeh shumë, por është i mendimit se nëse angazhon kapacitetet e LDK-së, asaj do t’i ecë puna mbarë.

“Shfrytëzoj rastin edhe një herë t’i uroj në përzgjedhjen për pretendentët për kryeministra. Unë personalisht nuk kam ndonjë njohuri më të përafert për Vjosën dhe mundësit e saj për t’u përballur me sfidat. Por besoj që nëse angazhon kapacitetet intelektuale të LDK-së të duhurit e të kohës, atëherë rezultati nuk do të mungojë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat