Mustafa: Nuk qesim fall për korrupsion - Bota Sot
Mustafa: Nuk qesim fall për korrupsion

Aktuale

Mustafa: Nuk qesim fall për korrupsion

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 16:40
LDK

(E plotësuar) - Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të nënshkruajë paktin e Kadri Veselit, përmes së cilit, sipas këtij të fundit, mund të kthehet besimi i qytetarëve ndaj politikanëve në luftimin e kësaj dukurie negative.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa është shprehur kundër nënshkrimit të këtij pakti, pasi, siç tha ai, partia që ai e drejton ‘nuk dëshiron të qesë fall dhe të bëjë dokument fals’.

Mustafa: Nuk dëshirojmë të qesim fall për korrupsionin

“Mund të them që ne me PDK-në nuk nënshkruajmë asnjë dokument, as pakt e as dokument tjetër. Ne luftojmë vetë korrupsionin, dhe këtë e kemi qëllim themelor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, nuk dëshirojmë që të qesim fall për korrupsionin dhe që me ‘fallqi’ të bëjmë dokument, i cili nuk ka asnjë vlerë”, ka deklaruar Mustafa.

Ai këto komente i bëri pas takimit me deputetin e CDU-së, Peter Beyer. Ky i fundit tha se si parti e kancelares Angela Merkel e mbështesin Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke theksuar se janë të lumtur që si parti po garojnë të vetme në zgjedhje.

Deputeti gjerman ka folur edhe për temën e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi.

Beyer: Kosova të jetë ashtu siç është, pa ndryshim të kufijve

“Është gjë e mirë që kemi një parti siç është LDK, një parti krenare dhe e fuqishme dhe që vërtetë ia arriti të shpalosë një kandidate shumë të fuqishme, me një përvojë afatgjate politike. Dhe jam gjithashtu i lumtur që LDK nuk ka hyrë në garë parazgjedhore me koalicione, sepse vërtet nuk e ka të nevojshme... Ne jemi të pajtimit dhe qëndrimit që Kosova të jetë ashtu siç është, pa ndryshime territoriale dhe pa ndryshim të kufijve”, tha Beyer.

Pas këtij takimi Mustafa tha se kanë biseduar edhe për situatën aktuale politike dhe përgatitjet për zgjedhje, dhe se për këtë ka kërkuar edhe përkrahjen e CDU-së, në mënyrë që të ketë zgjedhje demokratike në shërbim të qytetarëve.

Mustafa: Të gjitha reformat i kemi bërë në bazë të organizimit të CDU-së

“Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, neve të gjitha reformat të partisë i kemi bërë duke u nisur dhe duke marrë për bazë organizimin e CDU-së  edhe sa i përket politikave ekonomike, edhe sa i përket organizimit të brendshëm, por edhe sa i përket politikave integruese evropiane, për të cilat jemi shumë të interesuar”, tha Mustafa.

Beyer ka folur edhe për qëndrimin e Berlinit zyrtar lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërprerë pas taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe në nëntor 2018, heqjen e së cilës Beogradi e ka vendosur si kusht për vazhdimin e procesit në Bruksel.

Beyer: Vazhdimi i dialogut është shumë i rëndësishëm

“Qëndrimi i përgjithshëm është se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, dhe është interesi i Evropës po ashtu dhe i Berlinit...Për atë arsyeje është shumë i rëndësishëm edhe vazhdimi i dialogut, dhe këtë porosi mund ta shpalos edhe gjatë qëndrimit tim në Serbi, në takim me ministra të shumtë”, tha ai.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në këtë takim ka prezantuar ne pika të shkurta programin, duke përmendur kështu normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, zhvillimin ekonomik dhe investimet në fushën e arsimit. 

LDK nuk do ta nënshkruajë paktin e Veselit për luftën kundër korrupsionit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur qëndrimin e saj në lidhje me paktin me dhjetë pika për luftën kundër korrupsionit, të prezantuar sot nga kryetari i PDK-së Kadri Veseli, përmes së cilit sipas tij, mund të kthehet besimi i qytetarëve ndaj politikanëve në luftimin e kësaj dukurie negative.

Pas takimit me deputetin e CDU-së, Peter Beyer, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa është shprehur kundër nënshkrimit të paktit kundër korrupsionit, pasi partia që ai drejton ‘nuk dëshiron të qesë fall dhe të bëjë dokument fals”.

“Ne nuk nënshkruajmë as pakt, as dokument. Ne e luftojmë vetë korrupsionin dhe e kemi qëndrim themelor të LDK-së. Nuk dëshirojmë me qit fall për korrupsionin dhe të bëjmë dokument fals", tha Mustafa.

Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në një konferencë për media ka deklaruar se përmes paktit kundër korrupsionit, mund të kthehet besimi i qytetarëve ndaj politikanëve në luftimin e korrupsionit. Veseli madje iu ka bërë thirrje të gjitha partive politike ta nënshkruajnë paktin kundër korrupsionit.

10 pikat që përfshinë pakti kundër korrupsionit janë:

1. Mos kandidimi i personave të akuzuar për korrupsion

2. Mos emërimi në pozita politike i personave që kanë rënë ndesh me ligjin në sferën që prek korrupsionin apo abuzimin me pushtet

3. Suspendimi i zyrtarëve të akuzuar për korrupsion

4. Mbrojtja e interesit publik

5. Parandalimi i korrupsionit pasiv

6. Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit politik

7. Transparenca e emërimeve të pozitave të larta drejtuese

8. Ndëshkimi i nxitësve të korrupsionit

9. Sinjalizimi kundër korrupsionit

10. Standardi i integritetit të pushtetit politik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...