Beyer: Kosova duhet t’i ruajë kufijtë ekzistues

Aktuale

Beyer: Kosova duhet t’i ruajë kufijtë ekzistues

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 18:06
Pamje nga takimi

Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e partisë CDU të kancelares Angela Merkel, Peter Beyer është shprehur kundër idesë për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi, ndërsa iu ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë.

Ai këto komente i bëri pas takimit me kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj, ku dha porosi edhe sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, i ndërprerë pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe në nëntor 2018.

“Kosova duhet t’i ruajë kufijtë që ka. Është vërtet dëm që jo të gjitha shtetet e kanë njohur Kosovën. I bëj ftesë 5 vendeve që ta njohin Kosovën. Kosova gjendet para zgjedhjeve dhe është një fushatë shumë e shkurtë, kështu që i kanë vetëm pak ditë që të fitojnë besimin e Kosovës. Gjithashtu kemi biseduar, dje isha në Beograd, kam bërë ftesë atje për të rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Qeveria e re që duhet të krijohet pas zgjedhjeve, të kthehet në proces pa kushte. Jemi të gatshëm si në të kaluarën të mbështesim Kosovën", tha Beyer.

I pyetur se sa është Gjermania në mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, deputeti Beyer tha se nuk mund të japë datë të caktuar, por kjo mund të ndodhë para Krishtlindjeve.

"Gjermania është në shtet mbështetës për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Ka pasur edhe data, një datë kurrë nuk e kemi cekur nga ana jonë. Vërtet nuk është e drejtë që Kosova është i vetmi vend që nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do ta jap datën, mirëpo ndoshta do të jetë shpërblim për Kërshëndella", tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat