Shyqiri Bytyqi tregon arsyet se pse iu bashkua PSD-së

Aktuale

Shyqiri Bytyqi tregon arsyet se pse iu bashkua PSD-së

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 19:54
Shyqyri Bytyqi

Shyqyri Bytyqi, ministër në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), nga radhët e Nismës Socialdemokrate, tha se nga sot aktivitetin e tij politik do ta vazhdojë në Partinë Socialdemokrate (PSD).

“Që nga sot, aktivitetin tim politik do ta vazhdoj me PSD. Gjithmonë e kam informuar publikun se vazhdoj t’i përkrah politikat e majta. Politikat socialdemokrate janë më të nevojshmet për vendin”, tha Bytyqi, në emisionin “Imazh” në RTK1.

Sipas tij, në PSD i është dhënë hapësirë të kontribuojë në sistemin arsimor dhe sektorët e tjerë që do të ndihmojnë në zhvillimin e Kosovës.

“Na është dhënë hapësira e nevojshme që të kontribuojmë përfshirë sistemin arsimor dhe sektorët tjerë që janë të nevojshëm për zhvillimin e vendit”, tha Bytyqi.

Ai nuk deshi të komentojë arsyet e largimit të tij nga Nisma, duke përsëritur se e ka thënë më herët atë që ka pas rreth kësaj. “Unë nuk kam çka t’i shtoj asaj që kam thënë më parë për largimin tim nga Nisma. Është e mjaftueshme ajo që kam thënë”, tha ai.

Bytyqi, shtoi se gjatë dy viteve në punën e tij si ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka bërë shumë, përkundër shumë vështirësive në të cilat ka hasur.

Ai pohoi se nuk ka pasur përkrahjen e mjaftueshme në punën e tij si ministër, sipas tij, ka pasur pengesa për reformat në sistemin e arsimit. Ai shton se ka patur pengesa dhe pakënaqësi të vazhdueshme në punën e tij.

“Sistemi arsimor është i politizuar, duhet vullnet më i madh që arsimi të depolitizohet, kjo në një masë është bërë më ligjin par emërimin e drejtorëve”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat