Ambasadori amerikan reagon pas ngritjes së aktakuzave ndaj Milaim Zekës e Shkumbin Demaliajt

Aktuale

Ambasadori amerikan reagon pas ngritjes së aktakuzave ndaj Milaim Zekës e Shkumbin Demaliajt

Nga: A.ZH Më: 6 shtator 2019 Në ora: 18:15
Shkumbin Demaliaj dhe Milaim Zeka

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur dje aktakuzë ndaj dy ish-deputetëve, Milaim Zekës e Shkumbin Demaliajt, si të dyshuar për kërcënim ndaj prokurorëve.

Lajmin e ka mirëpritur edhe ambasadori amerikan në Kosovë Phillip Kosnett. Ai në një postim në Twitter, ka thënë se kërcënimet dhe hakmarrja, janë të papranueshme në demokraci, përcjell Bota sot.

“Punë e mirë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, për ngritjen e aktakuzave ndaj dy ish-deputetëve si të dyshuar për kërcënime ndaj prokurorëve. Kërcënimet apo hakmarrja ndaj kujtdo në sistemin gjyqësor, dëshmitarëve, prokurorëve, palës mbrojtës, gjyqtarëve e policisë, është e pa pranushme në demokraci”, ka shkruar ambasadori Kosnett.

Lajmin për ngritjen e këtyre aktakuzave e kishte konfirmuar dje për “Betimi për Drejtësi”, zyra për informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj prokurorie, aktakuza ndaj Shkumbin Demalijajt, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të kanosjes është ngritur më 1 gusht 2019, ndërsa ajo ndaj Zekajt, është ngritur më 22 korrik 2019. Ndryshe, ngritjen e këtyre aktakuzave i ka paraprirë gjuha që të dy deputetët kanë përdorur ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj, si dhe ndaj prokurorit, Afrim Shefkiu.

Rasti i parë ka të bëjë me aktakuzën e ngritur në rastin e veteranëve të UÇK-së, e në të cilin rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohet Shkumbin Demalijaj.

Kurse, rasti i dytë ka të bëjë me aktakuzën që prokurori Afrim Shefkiu ka ngritur ndaj ish-deputetit dhe ish-gazetarit Milaim Zeka, lidhur me dyshimet për mashtrim me viza gjermane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat