E 23-ta në listën e VV-së, Mimoza Kusari tregon arsyen e bashkimit me Albin Kurtin - Bota Sot
E 23-ta në listën e VV-së, Mimoza Kusari tregon arsyen e bashkimit me Albin Kurtin

Aktuale

E 23-ta në listën e VV-së, Mimoza Kusari tregon arsyen e bashkimit me Albin Kurtin

Nga: A.ZH Më: 7 shtator 2019 Në ora: 12:34
Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila, është renditur e 23-ta në listën e Lëvizjes Vetëvendosje të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Ajo sot përmes një postimi në Facebook, ka treguar se Alternativën e saj me VV-në e bashkon ideja e ndryshimit dhe reformës së shumëpritur shtetërore, përcjell Bota sot.

“Ky është një fillim i ri i Alternativës. Me strukturë të re dhe përpjekje konkrete për reforma shtetërore. Me LVV kemi disa dallime në pikëpamje, por për ndryshimin e duhur, jemi të fokusuar në atë çfarë na bashkon, jo në atë çfarë na dallon”, ka shkruar Kusari-Lila.

Në listën e VV-së, pos Kusarit, është përfshirë edhe Nën Kryetari i partisë, Reshat Nurboja.

Reagimi i plotë i Kusari-Lilës:

Çka nuk të sfidon, nuk të ndryshon!

Ndryshimi si fjala më e përdorur e këtyre zgjedhjeve, nuk është pa sfida, mund dhe angazhimin e të gjithëve që e duan një Kosovë ndryshe, Kosovë të mundësive të barabarta pa dallim gjinie, etnie, feje, orientimi dhe shtrese shoqërore.

Alternativa si subjekt relativisht i ri dhe me orientim të qartë liberal - demokrat, për dy vite në Kuvendin e Kosovës, ka prezantuar domosdoshmërinë e ndryshimeve përmbajtësore në sistemin tonë.

Këtë përpjekje i koordinuam me dy partitë e mëdha opozitare LDK dhe LVV, jo pa çmim.

Në proces, nga partia u largua njëri prej themeluesve të partisë, pasi nuk pajtohej me vendimin e shumicës në temën e dialogut dhe më vonë me bashkëpunimin me njëren prej partive opozitare, LVV-në.

Për pjesëmarrje në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, Alternativa ishte në diskutim të vazhdueshëm me Lëvizjen Vetëvendosje. Përkundër gjithë përpjekjeve koalicioni parazgjedhor nuk u arrit.

Për përfshirje në listë patëm edhe mundësi tjera, por, orientimi ynë ishte dhe mbetet në ngritjen e sinergjisë me partitë opozitare të deritashme për të realizuar ndryshimin e shumëpritur për Kosovën.

Ky është një fillim i ri i Alternativës. Me strukturë të re dhe përpjekje konkrete për reforma shtetërore.
Me LVV kemi disa dallime në pikëpamje, por për ndryshimin e duhur, jemi të fokusuar në atë çfarë na bashkon, jo në atë çfarë na dallon.

Ne na bashkon ideja e ndryshimit dhe reformës së shumëpritur shtetërore.

Na bashkon përpjekja për rend dhe ligj dhe shtet ligjor i cili trajton qytetarët njejtë pa marrë parasysh shtresën dhe kategorinë që përkasin.

Ne na bashkon ideja e shtetit të Kosovës, vend i zhvilluar me agjendë dhe program zhvillimor dhe me status të barabartë me shtetet tjera në rajon dhe në Bashkimin Evropian.

Bashkë do të rrugëtojmë në këto zgjedhje dhe bashkë do të rrugëtojmë në etapën e ndryshimit të mirëfilltë për Kosovën tonë.

Në listën zgjedhore të LVV, subjekti ynë përfaqësohet me mua Kryetaren e partisë dhe Nën Kryetarin e partisë, Reshat Nurboja.

Ne respektuam dhe zbatuam vullnetin e shumicës së anëtarëve të Këshillit Drejtues, të cilët e mbështeten dhe inkurajuan këtë bashkëpunim.

Faleminderit të gjithëve që besuan dhe kanë besim në Alternativën!

Na priftë e mbara drej fitoreve të reja për Kosovën.

#KosovaKaAlternativë

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...