Osmani: Roli i presidentit vetëm në dekretimin final të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Aktuale

Osmani: Roli i presidentit vetëm në dekretimin final të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Më: 19 shtator 2019 Në ora: 14:34
Vjosa Osmani

Kandidatja e nominuar për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), Vjosa Osmani gjatë bashkëbisedimit drejtpërdrejt me qytetarë në platformën e KDI-së me temën “Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha se si kryeministre me ekipin e saj do ta drejtojë procesin e dialogut në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim të afërt me partitë në parlament.

Vijat e kuqe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, sipas saj është çështja e kufijve dhe sovranitetit, derisa tha se presidenti I vendit në këtë proces do të ketë vetëm një rol.

Osmani për zgjedhjet e 6 tetorit, tha se teza e korrigjimit të kufijve është e rrezikshme, pasi burimin e ka në Serbi dhe Rusi. Ajo siguroi se kufijtë janë të përcaktuar që nga shpallja e pavarësisë, 2008.

Osmani: Roli i presidentit vetëm në dekretimin final ceremonial të marrëveshjes në Kuvend

“Në momentin që Qeveria do të udhëhiqet nga unë, çështja e kufijve, e sovranitetit, absolutisht nuk do të arrij asnjë herë në tavolinën e Brukselit dhe në asnjë proces ku unë do të jem prezent. Presidenti do ta ketë vetëm një rol, dhe ai do të jetë roli në dekretimin final ceremonial të marrëveshjes e cila miratohet në parlamentin e Kosovës. Pra, nuk do të ketë rol tjetër, sepse Kushtetuta, nuk i përcakton rol tjetër”, theksoi Osmani.

E pyetur për rolin e SHBA-së në procesin e dialogut, Osmani tha se ky rol nuk është vetëm i nevojshëm, por edhe natyrshëm.

Ajo tha se ky proces do të koordinohet edhe me vendet e BE-së, veçanërisht me Gjermaninë.

Osmani: Dialogun Kosovë-Serbi, do ta koordinojmë me ShBA-të dhe me Gjermaninë

Roli shumë i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  në procesin e dialogut nuk është vetëm i nevojshëm, por është ekzistencial. Për LDK-në, për Kosovën është ekzistencial. Ne patjetër duhet ta kemi një rol të fuqishëm, një angazhim të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara dhe besojmë po ashtu që çdo hap të cilin do ta marrim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duhet ta koordinojmë me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, në radhë të parë me Gjermaninë”, deklaroi Osmani.

Osmani i është përgjigjur një qytetari për koalicionin paszgjedhor, e cila tha se assesi nuk do të ketë koalicion me PDK.

Osmani: Assesi nuk do të ketë koalicion me PDK-në

“Një votues po thotë: Assesi mos bëni koalicion me PDK-në. Assesi nuk do të ketë koalicion me PDK-në, edhe pse nuk është tema, po e përsëris. Absolutisht një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, deklaroi ajo. 

Kandidatja për kryeministre  u pyet  edhe për çështjen e Asociacionit të komunave serbe, ku tha se Gjykata Kushtetuese e ka bërë këtë vlerësim dhe ka paraparë se si duhet të krijohet një asociacion i cili nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe parimin e mulitetnicitetit dhe  i cili nuk parasheh kompetenca ekzekutive .

Osmani tha se statuti që hartohet duhet  të jetë në përputhje me vendimin e Kushtetueses në mënyrë që të parandalohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive në mënyrë që të jetë i ngjashëm me asociacionin e komunave të Kosovës që  ekziston sot.

Duke folur për të drejtat e qytetarëve në Luginën e Preshevës,  Osmani tha se ende po shkelen ato, andaj derisa flitet për të drejtat e serbëve në Kosovë, duhet të kërkohen të drejtat edhe për qytetarët shqiptarë të Luginës.

Derisa foli për taksën, tha se duhet reciprocitet të plotë me Serbinë në aspektin ekonomik dhe politik. Për kontributet pensionale të plaçkitura si fond nga Serbia, Osmani theksoi se Kosova dhe qeveria e saj do ta bëjnë të pamundurën për kthimin e këtij fondi.

Ajo ka përsëritur se në qeverinë e saj nuk do të jenë më shumë se 12 ministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat