Specialja flet për deklaratat e Bashotës: Synojmë t’i mbajmë përgjegjës individët për krimet që ne i hetojmë - Bota Sot
Specialja flet për deklaratat e Bashotës: Synojmë t’i mbajmë përgjegjës individët për krimet që ne i hetojmë

Aktuale

Specialja flet për deklaratat e Bashotës: Synojmë t’i mbajmë përgjegjës individët për krimet që ne i hetojmë

Më: 20 shtator 2019 Në ora: 12:48
Selia e Gjykatës Speciale

Ish-zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Bashota, është intervistuar për dy ditë rresht nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Pas kthimit në Prishtinë, Bashota ka thënë se është i shqetësuar, meqë siç pretendon ai, Gjykata Speciale i ka ofruar diçka që do të mundë t’i konvenonte vetë Bashotës, por që do të dëmtonte imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Unë isha në Hagë dhe jam intervistuar dy ditë si i dyshuar dhe jam përgjigjur në pyetjet të cilat kanë qenë të favorshme për mua. Por, ajo që më ka shqetësuar mua, një precedent është se atje më është ofruar një marrëveshje e cila do të ishte e favorshme për mua por që do të mund të dëmtonte kauzën e UÇK-së dhe të tjerët”, kishte deklaruar Bashota për RTK-në pas kthimit nga Haga.

Lidhur me këto deklarata të Bashotës në një përgjigje ekskluzive për Express, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christofor Bennett, ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar asnjëherë nuk ka ndarë detaje dhe nuk i ka komentuar hetimet që i kryen.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar në asnjë fazë nuk ka dhënë hollësi dhe nuk i ka komentuar hetimet e veta, përpos që e ka nisur mandatin e saj”, ka thënë Bennett i pyetur nëse vërtet Gjykata Speciale ka ofruar diçka, siç pretendon ish-komandanti i UÇK-së, Sokol Bashota.

Tutje zëdhënësi i Gjykatës Speciale ka thënë se detyra e tyre është që t’i marrin në pyetje të dyshuarit, viktimat e dëshmitarët, për të grumbulluar të dhëna të cilat do të mundë të çojnë në fillimin, vazhdimin apo mbylljen e hetimeve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka autoritetin që, mes tjerash, t’i marrë në pyetje dhe ta kërkojë praninë e personave të dyshuar, viktimave dhe dëshmitarëve, të mbledhë dhe të analizojë të dhëna dhe dëshmi dhe të marrë vendime për nisjen, vazhdimin ose mbylljen e procedurave kriminale”, shton Bennet.

Në fund ai thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar synon të mbajë përgjegjës individët për krimet të cilat do të hetohen nën mandatin e saj.

“Për më tepër, SPO-ja synon t’i mbajë përgjegjës individët për krimet e mbuluara nga mandati i saj”, ka përfunduar Bennett.

Ish-numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sokol Bashota, është intervistuar në Hagë si i dyshuar, ndërkohë ka paralajmëruar se do të publikoj edhe detaje tjera të intervistimit në konsultim me avokatin e tij.

Dje nga Specialja është intervistuar edhe ish-deputetja e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, e ditë më parë është intervistuar edhe ish-ushtarja e UÇK-së, Time Kadriaj, dhe Naim Maloku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...