Albin Kurti thotë se do të bashkëpunojë me Hashim Thaçin nëse bëhet kryeministër

Aktuale

Albin Kurti thotë se do të bashkëpunojë me Hashim Thaçin nëse bëhet kryeministër

Më: 24 shtator 2019 Në ora: 15:20
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht kandidati për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti po vazhdon të befasoj me fjalët e tij para zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Përderisa akuza të rënda kishte lëshuar ndaj Hashim Thaçit gjatë gjithë kohës sa kishte qenë në opozitë, Albin Kurti i pyetur për një bashkëpunim të tij nëse bëhet kryeministër me presidentin e vendit, Hashim Thaçin nuk e ka parë si problematik.

Ai ka thënë se do të ketë komunikim dhe bashkëpunim me Hashim Thaçin, por jo sikurse qeveria e fundit.

“Unë nuk bëjë pazare për të ardhur në pushtet dhe në anën tjetër nuk do të sillet me mua sikurse ka bërë në mandatin e kaluar. Tash komunikim [me Thaçin v.j] duhet të kemi, do të kemi edhe bashkëpunim, mirëpo nuk do të jetë ai bashkëpunim sikurse në mandatin e kaluar kur ai kundërshton politikat e jashtme të qeverisë që hynë në shtigje anti-demokratike dhe anti-kushtetuese. Pra nuk do të ketë hapësirë të manovrimeve siç e ka pasur”, ka deklaruar Kurti për “Talk to Talk”.

Më tutje Kurti ka thënë Thaçi ka qenë më i fuqishëm për dy arsye në Qeverinë Haradinaj. E para për shkak të kushteve që i ishin vënë Haradinajt për t’u bërë kryeministër si dhe arsyeja tjetër për shkak të numrit të vogël të deputetëve nga AAK.

“Ne e kemi parë se presidenti ka qenë më i fuqishëm se që duhet për dy arsyeje. Së pari besoj që ka ekzistuar një ujdi me ish-kryeministrit të bahet bashkë [me PAN-in v.j] me kusht që të ratifikohet Demarkacioni me Malin e Zi dhe dialogu t’i lihet Thaçit. Prandaj them se ky kryeministër ka qenë i dobët qysh në fillim”.

“Arsyeja e dytë përse ka qenë i fuqishëm ky president, sepse ish-kryeministri kishte dyfish më pak deputetë të partisë së tij se sa partnerët e koalicionit qeverisës. Pra nuk është në rregull që edhe më tutje kështu të ketë kryeministër të dobët dhe kjo ndryshon pas 6 tetorit. Për fund besoj që ashtu siç u dorëhiq nga ambicia e tij për t’u bërë kryeministër në dimrin e vitit 2014 duhet të dorëhiqet edhe nga posti i presidentit në atë mënyrë që ta ketë një pension të parakohshëm”, ka deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat