Kush është Esmir Kasi, i vetmi kandidat i pavarur në zgjedhjet e 6 tetorit

Aktuale

Kush është Esmir Kasi, i vetmi kandidat i pavarur në zgjedhjet e 6 tetorit

Më: 25 shtator 2019 Në ora: 21:41
Esmir Kasi

Gjendja jo e mirë në vend, e veçmas te boshnjakët, e ka shtyrë Esmir Kasin nga ky komunitet që t’i hyjë garës si kandidat i pavarur për deputet.

29-vjeçari nga Prizreni, thotë se nëse arrin të bëhet pjesë e Parlamentit, do të punojë bashkë me shqiptarët për ta ndryshuar këtë gjendje, raporton KTV.

“Për fat të keq më 1999 ka pasur luftë dhe shumë njerëz kanë ikur për t’u kthyer, por 20 vjet pas të rinjtë po ikin si pasojë e kushteve jo të mira. 20 vjet pas, boshnjakë e shqiptarë dalin jashtë për shkak se nuk ekzistojnë kushtet elementare për jetesë. Do të mundohemi ta ndryshojmë sado pak këtë gjendje”, ka thënë ai.

Sipas Kasit, gjendja nuk është e mirë në sektorin e arsimit e as në atë të shëndetësisë.

Ai thekson se do të krijojnë mundësi që qytetarët të punësohen në vendin e tyre.

“Është gabim kur politika thotë që ne nuk hapim vende të punës. Politika pikërisht këtë e bën. Për këtë arsye kemi hyrë në skenën politike dhe së bashku me vëllezërit tanë shqiptarë do të punojmë që shtetin ta çojmë në një nivel tjetër, sepse Republika e Kosovës është vendlindja jonë. Ne boshnjakët tjetër atdhe nuk kemi”, ka deklaruar Kasi.

Kandidati, që me profesion është jurist, thotë se partitë tjera nuk kanë punuar mjaftueshëm sa për të mbajtur rininë brenda vendit.

“Partitë tona kanë punuar aq sa kanë mundur, por për fat të keq jo mjaftueshëm dhe jo sa për ta bërë popullin që të qëndrojë këtu. Kanë rregulluar disa gjëra të vogla, disa rrugica. Ne për këtë nuk jemi të kënaqur dhe kjo është arsyeja që i kam hyrë politikës. I falënderojmë për gjërat që i kanë bërë, por nuk janë të mjaftueshme”, ka shtuar më tej ai.

Kasi, që është kandidati i parë i pavarur nga komuniteti boshnjak, thotë se synon që në Legjislativ t’i përfaqësojë edhe interesat e shqiptarëve.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kasi thotë se do t’ua shpalosë boshnjakëve programin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat