SHBA-ja me lajm të madh për liberalizimin e vizave për Kosovën

Aktuale

SHBA-ja me lajm të madh për liberalizimin e vizave për Kosovën

Më: 27 shtator 2019 Në ora: 15:03
SHBA-ja me lajm të madh për liberalizimin e vizave për Kosovën

Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që drejtohet nga kongresmenti Eliot Engel, ka dalë në përkrahje të plotë të Kosovës, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i liberalizojë vizat për kosovarët.

Një reagim i tillë i Komitetit për Punë të Jashtme që drejtohet nga Engel ka ardhur pasi ditë më parë Komiteti LIBE i Parlamenti Evropian ka mbështetur edhe një herë Kosovën për çështjen e liberalizimit të vizave. 

Nga ky institucion thonë se Bashkimi Evropian duhet të dëgjojë rekomandimin e Parlamentit Evropian dhe t’i liberalizojë vizat për shtetasit e Kosovës.

“ Parlamenti Evropian ka të drejtë. Bashkimi Evropian duhet t’ia liberalizojë vizat edhe Kosovës”, thuhet në reagimin e Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të AmerikësForeign Affairs Committee✔@HouseForeign

Për çështjen e liberalizimit të vizave sot ka folur edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, e cila ka thënë se do të bëjë çmos që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Fajon gjithashtu ka treguar se është takuar edhe me ministren e Brendshme të Finlandës, të cilës thotë se ia ka rikujtuar faktin se Republika e Kosovës ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.

“Kam takuar ministren e Brendshme të Finlandës këtë javë në Bruksel. Kemi pasur një diskutim shumë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. Mes tjerash, unë i kam përsëritur që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, që BE-ja ka premtuar se do t’ia jap (liberalizimin), dhe që Këshilli vazhdon ende të refuzojë të veprojë. Unë i bëra thirrje asaj që ta vendosë përsëri në tavolinë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën”, është shprehur Fajon.

Ndër të tjera raportuesja për Kosovën ka pasur edhe një thirrje për institucionet dhe politikën kosovare duke u thënë që të ruajnë progresin e arritur vitet e kaluara dhe të mos bëjnë hapa mbrapa në aspektin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Sidoqoftë, është vitale që Kosova të vazhdojë me përmbushjen e të gjitha kritereve dhe të mos bëjë hapa mbrapa në progresin e mirë që është bërë viteve të fundit. I bëj thirrje Kosovës që të vazhdojë të punojë afër me të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian dhe të angazhohet në mënyrë aktive në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka përfunduar eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon.

Ndërkohë ende nuk ka një datë të saktë se kur mund të ndodh heqja e vizave. Deputeti gjerman i CDU/CSU, Peter Beyer,  gjatë vizitës së tij në Prishtinë ka thënë se liberalizimi mund të jetë një dhuratë për Krishtlindje.

Por as nga BE’ja e as Fajon nuk pranojnë që të japin ndonjë afat kohorë se kur mund të ndodh heqja e regjimit të vizave.

Disa e ndërlidhin me dialogun e Brukselit dhe arritjen e një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë nga BE’ja vazhdojnë të përmendin luftën që duhet bëjë Kosova ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat