Zyra e BE-së në Kosovë kërkon anulimin e të gjitha konkurseve të shpallura së fundmi në administratën publike

Aktuale

Zyra e BE-së në Kosovë kërkon anulimin e të gjitha konkurseve të shpallura së fundmi në administratën publike

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 19:00
Nataliya Apostolova

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka reaguar të mërkurën, lidhur me konkurset e shpallura së fundmi në administratën publike, konkurse të cilat janë shpallur sipas ligjit tashmë të shfuqizuar për Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës.

Në reagimin e Zyrës së BE-së, thuhet se miratimi i pakos reformuese të legjislacionit të administratës publike në shkurt 2019, ka shënuar një hap të rëndësishëm përpara për administratën publike të Kosovës, e ku veçohet Ligji për Zyrtarët Publikë, i cili ka imponuar ndryshime të rëndësishme në mënyrën e rekrutimit të nëpunësve civilë dhe punonjësve të shërbimeve publike, të cilat sipas Zyrës së BE-së, mundësojnë një qasje më të bazuar në merita për pranimet në administratën publike.

Mirëpo, për t’u zbatuar në praktikë ligji i ri, vazhdon reagimi, duhet të miratohen nga Qeveria edhe akte nënligjore, prandaj, të gjitha vendet e lira të shërbimit civil të publikuara aktualisht nga institucionet e administratës shtetërore, siç janë Ministritë, Agjencitë ekzekutive dhe rregullatore, nuk mund të procedojnë përpara se të merren vendime të tilla nga Qeveria.

“Kjo është e vetmja rrugë e ligjshme e shëndoshë përpara që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore dhe përndryshe do të rrezikojë t’i ekspozojë institucionet dhe partitë politike ndaj akuzave dhe kritikave për politizimin e administratës publike.

Prandaj, ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Administratës Publike të informojë institucionet publike që vendet e lira të shpallura aktualisht nga institucionet e administratës shtetërore nuk mund të vazhdojnë, derisa aktet nënligjore dhe vendimet të jenë miratuar nga Qeveria.”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.

Në këtë reagim, Zyra e BE-së, thekson se ka marrë për bazë edhe reagimet që kishin ardhur nga ana e shoqërisë civile në lidhje me konkurset e shpallura, duke rekomanduar në fund se të gjitha rekrutimet e shërbimit civil duhet të jenë në përputhje me standardet e paanshmërisë dhe meritës.

Lidhur me këto konkurse, më 19 shtator 2019 kishte reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka vlerësuar se këto tregojnë përpjekjet e reja për politizim të administratës shtetërore, pasi që në ligjin e ri ka kufizime më të mëdha për manipulime, të cilat kufizime nuk gjenden në ligjin e kaluar. Ky fakt, sipas IKD-së, nënkupton vështirësi më të madhe për punësimin e familjarëve dhe militantëve partiak në institucionet publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat