Vjosa Osmani padit RTK-në, ky është paralajmërimi i saj - Bota Sot
Vjosa Osmani padit RTK-në, ky është paralajmërimi i saj

Aktuale

Vjosa Osmani padit RTK-në, ky është paralajmërimi i saj

Nga: A.ZH Më: 4 tetor 2019 Në ora: 17:07
Vjosa Osmani

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre Vjosa Osmani, do të padisë RTK-në për shpifje, anshmëri politike dhe shkelje të rënda të standardeve profesionale.

Në një komunikatë për media, LDK-ja ka akuzuar RTK-në se është vënë në shërbim të pushtetit në ikje, duke publikuar lajme të rrejshme, përcjell Bota sot.

Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e lajmeve të rrejshme të RTK-së dhe portaleve të pushtetit në ikje, të cilat sipas saj, “po shpifin për lidhjet e saj me Rusinë”.

“I njoftoj qytetarët se këto shpifje të ulëta vijnë nga frika e dënimit që do të marrin të dielën me votën e qytetarëve. I ftoj qytetarët që të çojnë në vend përcaktimin e vullnetit të tyre politik, për ndryshimin e madh dhe çlirimin e dytë të Kosovës që do të ndodhë të dielën”, tha Osmani.

Komunikata e plotë e LDK-së:

Reagim kundër shpifjeve të RTK-së

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, do ta padisë transmetuesin publik, Radio Televizionin e Kosovës (RTK), për shpifje, anshmëri politike dhe shkelje të rënda të standardeve profesionale, pasi që është vënë në shërbim të pushtetit në ikje, duke publikuar lajme të rrejshme.

“I njoftoj qytetarët e Kosovës, që të mos bien pre e lajmeve të rrejshme të RTK-së dhe portaleve të pushtetit në ikje, të cilat në mënyrën më të ulët të mundshme po shpifin kundër meje dhe familjes time. Shpifjet për lidhjet e mia me Rusinë nuk i besojnë as ata vetë, lëre më qytetarët e Kosovës që më njohin mirë dhe më njohin gjatë. I njoftoj qytetarët se sot kam autorizuar avokatin e familjes për të përgatitur padi kundër RTK-së, e cili shpenzon 15 milionë euro taksa të qytetarëve të Kosovës në vit, ndërsa është vënë komplet në shërbim propagandues të nëntokës dhe pushtetit në ikje”, ka thënë Osmani.

Sulmet e RTK-së kundër Vjosa Osmanit dhe LDK-së, janë shpeshtuar me afrimin e datës së zgjedhjeve pasi që nëntoka, krimi dhe korrupsioni do të dënohen të dielën me votën e lirë të qytetarëve të Kosovës.

“I njoftoj qytetarët se këto shpifje të ulëta vijnë nga frika e dënimit që do të marrin të dielën me votën e qytetarëve. I ftoj qytetarët që të çojnë në vend përcaktimin e vullnetit të tyre politik, për ndryshimin e madh dhe çlirimin e dytë të Kosovës që do të ndodhë të dielën”, tha Osmani.

Ajo i ka ftuar organet ligjzbatuese, monitoruesit vendorë dhe ndërkombëtarë, që të evidentojnë këto shkelje të rënda të transmetuesit publik dhe disa portaleve tjera.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...