I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një deklarate publike në Facebook, ka thënë se dita e sotme është një ditë e veçantë nga të tjerat, shkruan “Bota sot”.
Sipas tij, në ditën e sotme nuk ka rëndësi a je i pasur a je i varfër, a je grua a je burrë, a je i ri a je i moshuar, a vjen nga fshati apo nga qyteti, a ke mbaruar shkollim të lartë apo jo, të gjithë jemi të barabartë, sistemi politik është i hapur për të gjithë dhe secilin njësoj.
Postimi plotë:
Mirëdita të gjithëve,
Dita sot është fort e veçantë. Të gjitha përgjigjeve të të gjitha partive e politikanëve në fushatë, u përgjigjet populli si burim i sovranitetit të republikës sonë.
Në ditën e sotme nuk ka rëndësi a je i pasur a je i varfër, a je grua a je burrë, a je i ri a je i moshuar, a vjen nga fshati apo nga qyteti, a ke mbaruar shkollim të lartë apo jo, të gjithë jemi të barabartë, sistemi politik është i hapur për të gjithë dhe secilin njësoj.
Prandaj, unë iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë shans, unik për nga karakteri e historik për nga pesha.
Uroj votime të lira dhe ditë të këndshme për të gjithë qytetarët e republikës sonë. Le të votojmë e le të festojmë!
(Përgjigja ndaj gazetarit): Ne duhet të presim rezultatet në orët e mbrëmjes dhe votimin masiv të sotëm, ta shndërrojmë në një festë masive.