Meha: Korrupsioni është vetëm një segment i shkallës së lartë i mos zbatueshëmërisë së ligjit në Kosovë

Aktuale

Meha: Korrupsioni është vetëm një segment i shkallës së lartë i mos zbatueshëmërisë së ligjit në Kosovë

Nga: D. B Më: 23 tetor 2019 Në ora: 13:26
Xhevat Meha

Deklaratat e përfaqësueses së Ambasadës së Zvicrës, se duhet luftuar korrupsionin, nëse duam liberalizimin, por edhe deklaratat e ambasadoreve tjerë, se nuk po luftohet korrupsioni, nuk janë diçka e re. Kjo për faktin se kësi lloj deklaratash, kemi dëgjuar tash e 10-15 vitet e shkuara, por korrupsioni nuk luftohet me deklarata.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Xhevat Meha, i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se mbështetja e luftës kundër korrupsionit nga shtetet mike ndaj Kosovës natyrisht se mund të kryej punë.

Sipas tij, korrupsioni është vetëm një segment i shkallës së lartë i mos zbatueshëmërisë së ligjit në Kosovë.

“Kriminalizimi i madh është segmenti tjetër i mos zbatueshëmërisë së ligjit në Kosovë. Lufta duhet të drejtohet kah fuqizimi i zbatueshëmërisë së ligjit. Po këtu has sharra në gozhda, e gozhda është se mos zbatueshmëria e ligjit është konsoliduar në Kosovë nga veprimet sistematike të strukturave të fshehta serbe, për një kohë tepër të gjatë, dhe krejt lirshëm pa asnjë kundërvënie”, ka thënë analisti politik Meha.

Ai konsideron se duhet që në shënjestër të vihet shkaku dhe pasoja, pasi shkak i mos zbatueshëmërisë së ligjit është veprimtaria e pa penguar e strukturave të fshehta serbe.

“Mendoj se kjo për pasojë ka krijuar madje edhe këtë shkallë të mos zbatueshëmërisë së ligjit që kemi sot në Kosovë. Duhet të fillohet që të çmontohet ‘dërzhava’ e Kosovës e ndërtuar nga strukturat e fshehta serbe, për të filluar ndërtimin e shtetit të Kosovës. Premtuese është ndërtimi i qeverisë së re VV-LDK. Programet qeverisëse të këtyre dy partive politike të paraqitura në fushatë zgjedhore, kanë një ngjashmëri të madhe. Mbetet që vetëm të përmbushën premtimet elektorale. Por tani mbetet vetëm të shohim se çka po na ofrohet në zbatim”, është shprehur analisti politik Xhevat Meha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat