Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që KQZ-ja të trajtojë ligjshmërinë e votave të ardhura në pliko nga Serbia, për Listën Serbe, përcjell Bota sot.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se numërimi i votave pa një vendim të KQZ-së se a i plotësojnë kushtet ligjore, hap rrugë për të legalizuar kontrabandimin e votës edhe në të ardhmen.
Postimi i tij i plotë:
Si Kryetar i LDK-së kërkoj nga KQZ-ja të trajtojë ligjshmërinë e votave të ardhura në pliko nga Serbia, për Listën Serbe. Paralajmërimi se këto vota do të hyjnë në numërim, pa një vendim të KQZ-së se a i plotësojnë ato kushtet ligjore, hapë rrugë për të legalizuar kontrabandimin e votës edhe në të ardhmen. Një gjë e tillë u tentua të bëhet në zgjedhjet e kaluara lokale në Istog, por organet ligjore parandaluan makinacionet e tilla që deformojnë vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës.
Nuk duhet lejuar asnjë votë të paligjshme në Kosovë. IM.