Ftesat e shumta nga Specialja, Gucati thotë se ka informacione që së shpejti mund të ndodhin edhe arrestimet e para

Aktuale

Ftesat e shumta nga Specialja, Gucati thotë se ka informacione që së shpejti mund të ndodhin edhe arrestimet e para

Më: 29 tetor 2019 Në ora: 16:49
Hysni Gucati

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati në një intervistë ka folur për numrin e madh të ftesave nga Gjykata Speciale të ardhura për ish-pjesëtarët e UÇK-së, për gjatë muajit shtator dhe tetor.

Duke komentuar situatën, Gucati ka thënë se kohëve të fundit Gjykata Speciale është angazhuar shumë dhe se muaji nëntor prit të jetë mjaftë i nxehtë sa i përket zhvillimeve.

“Është reale që një pjesë e muajit shtator dhe muajit tetor ka qenë shumë i nxehtë nga Gjykata Speciale, ku janë ftuar mbi 50 persona deri më tash, prej tyre ka pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  por edhe qytetarë të thjeshtë. Këto zhvillime për neve janë paralajmërim që tregojnë se shumë shpejtë do të ngritën aktakuzat e para nga Gjykata Speciale”, ka thënë Gucati për Telegrafin.

Ai ka thënë se në organizatën që ai drejton deri tash janë lajmëruar 130 pjesëtarë të UÇK-së, të cilët kanë pranuar ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale.

“Ne nuk mund të flasim për numrin e saktë, sepse ka të tillë që nuk janë lajmëruar në organizatë, janë qytetarë që janë ftuar edhe si dëshmitarë. Në organizatën tonë janë lajmëruar 130 pjesëtarë të UÇK-së, që janë edhe të dyshuar por edhe dëshmitarë”, ka pohuar ai.

Mes tjerash, Gucati ka thënë se ka informacione nga avokatët ndërkombëtarë që në fund të muajit tetor dhe fillim të muajit nëntor mund të ndodhin edhe disa arrestime. Gucati tha se ende nuk janë intervistuar të gjithë të ftuarit dhe se gjatë muajit nëntor janë te ndarë në katër grupe personat të cilat do të intervistohen, duke shtuar se intervistimet pritet të bëhen me 1, 5, 7 dhe 11 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat