Marrëveshja për presidentin, nënkryetari i VV-së thotë se kjo mund të bëhet vetëm nga Kurti e Mustafa

Aktuale

Marrëveshja për presidentin, nënkryetari i VV-së thotë se kjo mund të bëhet vetëm nga Kurti e Mustafa

Më: 30 tetor 2019 Në ora: 14:17
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, u është përgjigjur sot deklaratave të nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, që e përmendi pozitën e presidentit si pjesë të pazarit për koalicionin LDK-VV. Bislimi në një përgjigje ka thënë se kërkesa të tilla nuk diskutohen në grupet punese, por duhet t’i drejtohen Albin Kurtit nga Isa Mustafa.

Hyrja e Lutfi Hazirit në grupet punuese që po diskutojnë për marrëveshje koalicioni në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lëvizjes Vetëvendosje tashmë ka filluar të vërehet me ndikimet e para të tij.

Deri në këtë nivel, kur tashmë është mbajtur një takim në mes të liderëve e tre të tjerë në mes të grupeve punuese për harmonizim të programeve nuk u diskutua as kush do të mbajë pozita udhëheqëse nëpër ministri, përveç se u fol për numrin e tyre. Kjo ndryshoi kur Isa Mustafa, lideri i LDK-së vendosi që në grupe punuese ta inkuadrojë edhe Lutfi Hazirin, të njohur mirë për deklaratat e tij kundër Kurtit e VV-së.

Haziri menjëherë e përmendi si pjesë të pazarit edhe pozitën e presidentit që do ta zëvendësojë Hashim Thaçin. Nënkryetari i LDK-së, madje edhe parashikoi krizë nëse kjo nuk do të sqarohet.

“Për të qenë marrëveshje funksionale duhet të sqarohen të gjitha pozicionet tash. Nëse nuk e sqarojmë tash pozitën e presidentit ne po paralajmërojmë krizë në vitin 2021. Në Kosovë kur nuk janë pajtuar partitë për emër konsensual, na ka ardhur emri nga zarfe”, ka deklaruar mbrëmë Haziri.

Për këtë temë, sot gjatë ditës ka reaguar në një përgjigje nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi.

Bislimi ka thënë tashmë po flitet për programin qeverisës, e se pjesë të tjera nuk mund të përfshihen në grupet punuese që kanë ngritur dy partitë.

“Ne jemi duke u dakorduar për programin qeverisës dhe matricën qeverisëse. Pjesë tjera nuk mund të përfshihen në këtë ambient”, deklaroi Bislimi.

Nënkryetari i Lëvizjes tutje ka thënë se Haziri nuk mund të bëjë një kërkesë të tillë apo ta trajtojë në grupet punuese, por, ta drejtojë te kryetari i VV-së, Albin Kurti.

“Në rast se bëhet një kërkesë e atillë ajo duhet të adresohet te z. Kurti dhe të trajtohet aty, por, jo nga grupet teknike apo z. Haziri”, është deklaruar ai.

Express nga burime të mirinformuara ka marrë vesh se pozita e presidentit të cilën po mundohet ta fusë si temë diskutimi Lutfi Haziri, ishte dakorduar që të mos jetë pjesë e marrëveshjes në takimin e parë në mes të liderëve, Kurtit e Mustafës ku e pranishme kishte qenë edhe kandidatja për kryeministre nga LDK-ja Vjosa Osmani.

Se LDK-ja nuk do të heqë dorë nga kjo pozitë ishte përmendur qyshkur Mustafa e kishte nominuar për kryeministre Vjosa Osmani. Për këtë pretendim madje i njëjti kishte folur edhe publikisht duke thënë se emërimin për president e sheh si nder të veçantë. Edhe Haziri deklaroi mbrëmë se Mustafa i plotëson të gjitha kushtet për president.

Lideri i LDK-së ka konfirmuar në një përgjigje se Lutfi Haziri do të jetë pjesë e grupeve punuese, por, që, sipas tij, kjo nuk do të ndikojë për probleme në arritjen e marrëveshjes së koalicionit mes dy partive.

LDK-ja dhe Vetëvendosja janë duke mbajtur takime në mes të grupeve punuese për harmonizim të programeve, pasi që dolën si dy partitë më të votuara nga zgjedhjet e gjashtë tetorit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat