Në Ditën botërore të kursimeve, BQK ndan çmime për esetë më të mira

Aktuale

Në Ditën botërore të kursimeve, BQK ndan çmime për esetë më të mira

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 16:58
Në ambientet e bankës qëndrore

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka ndarë çmime për esetë më të mira rreth kursimit të financave, me moton “Kursimet për një të ardhme më të mirë”.

Ky organizim është bërë  në kuadër të Ditës Botërore të Kursimeve që shënohet  çdo vit më 31 tetor.

Në këtë garë kanë marrë pjesë nxënësit e klasave 6-9 të shkollave fillore të Kosovës.

Fehmi Mehmeti, guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, tha se shënimi i Ditës botërore të kursimeve tashmë është bërë traditë dhe se kjo ditë në vendin tonë shënohet me aktivitete të ndryshme, të cilat kanë për qëllim  kultivimin e shprehisë së kursimeve.

Mehmeti: Nuk ka humbës në garë, të gjithë janë fitues

“BQK, në kuadër të programeve të veta financiare, ka organizuar një garë me klasë nga e gjashta  deri te e nënta, për konkursin i cili ka pasur si temë trajtimi financat dhe kursimet me moton “Kursimet për një të ardhme më të mirë”. Kemi pasur ese shumë të mira, të cilat na kanë vendosur në situatë shumë të vështirë për ta zgjedhur esenë më të mirë. Për këtë arsye ju përgëzoj për esetë që keni punuar dhe nuk ka humbës në këtë garë - të gjithë jeni fitues”, u shpreh Mehmeti.

Mehmeti tha se shpreson që kjo garë i ka mësuar fëmijët të fitojnë më shumë njohuri rreth financave dhe kursimeve.

Çmimet për esetë më të mira iu nda nëntë nxënësve, ku Jon Pacolli ishte fitues i çmimit të parë, Albiona Barileva fitoi çmimin e dytë, derisa atë të tretin e fitoi  Etrit Thaçi. Çmimet tjera me radhë shkojnë për Era Shabani, Lis Ademi, Tuana Aliu, Krenare Shefqeti, Elsa Gosalsi, Benar Sheqiri dhe Daorsa imeri.

Elsa Gosalsi, fituese e çmimit të shtatë, u shpreh shumë e lumtur me çmimin e fituar, duke thënë se meritat për këtë nuk i takojnë vetëm asaj, por edhe mësimdhënësve.

Gosalsi: Meritat nuk janë vetëm tonat, por edhe të mësimdhënësve

“Jam shumë e lumtur dhe e kënaqur me veten gjithashtu meritat nuk janë vetëm tonat, por edhe të mësimdhënësve dhe drejtorisë. Kam shkruar një ese shumë të gjatë, e cila ka qenë e lidhur me kursimet për një jetë më të mirë për një ardhme më të mirë. Prej kësaj eseje kam mësuar që në të ardhmen gjithmonë të duhen parat dhe duhesh kursyer dhe mënyra më e mirë është banka dhe kam mësuar se nëse kursen do të kesh të ardhme më të mirë”, tha Gosalsi.

Etrit Thaçi, fitues i çmimit të tretë, tha se nga kjo eksperiencë ka mësuar që në jetë duhet të kursejnë nëse dëshirojnë të kenë një jetë më të mirë.

Thaçi: Në ese kam shkruar si kam kursyer në jetën time

“Kam fituar çmimin e tretë në esenë që bëhet fjalë për kursimet e së ardhmes. Unë kam shkruar në ese për kursimet që i kam bërë që nga fëmijëria dhe për historinë e parasë në kohën e mëhershme. Kam shkruar edhe si kam kursyer në jetën time”, tha Thaçi

Dita Botërore e Kursimit festohet si kujtim i kongresit të parë ndërkombëtar të kursimeve të mbajtur në këtë ditë në vitin 1924 në Milano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat