Shkrimtari Sefer Pasha: Ukshin Hoti ngjan me shqiponjën

Aktuale

Shkrimtari Sefer Pasha: Ukshin Hoti ngjan me shqiponjën

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 13:33
Ukshin Hoti

Ideja e shtet-formimit të Republikës së Kosovës, dhe ide të qarta për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan mbajnë vulën e përhershme të politologut Ukshin Hotit.

Kështu u tha sot gjatë një takimi mikpritës në Rahovec, për shkrimtarin dhe publicistin nga Shqipëria, Sefer Pasha, autorin e shumë veprave për jetën dhe veprën e profesorit Ukshin Hoti.  

Shkrimtari dhe publicisti Sefer Pasha, u dekorua me mirënjohje për gjashtë veprat e shkruara për Ukshin Hotin me titullin “Me ndjenjë respekti e mirënjohje për përkushtimin e epërm ndaj jetë shkrimit biografik të veprës politike të Ukshin Hotit”.

Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, tha se profili i Ukshin Hotit, prej atdhetari e humanisti dhe udhërrëfyesi drejtë lirisë, i bënë të ndihen sa me fat edhe borxhlinj jemi karshi veprës së tij. Ai tha se e meta e shtetit tonë është zhdukja e Ukshin Hotit, e cila ende nuk është zbuluar.

Latifi: Figura e Ukshin Hotit ka frymëzuar autorë të shumtë gjithandej viseve shqiptare

“Ideja e shtet-formimit të Republikës së Kosovës, dhe ide të qarta për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan mbajnë vulën e përhershme të politologut tonë Ukshinit. Ai është nga ata burra që edhe në mungesë të tij figura e tij gjeniale prej një mendimtari vazhdon të plotësohet dita-ditës. Ndonëse nuk dihet më asgjë për fatin e tij, prej tij nuk kemi më “as nam e as nishan”, e kjo është ironia jonë më e madhe, zhdukja pa gjurmë e njeriut më emblematik të kohës e atdhetarit të shquar. Nga ana tjetër mungesa e angazhimit të faktorit vendor e ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të tij është e meta më e madhe dhe ngecja e vazhdueshme e shoqërisë sonë të pas luftës. Figura e profesor Ukshin Hotit, mungesa fizike dhe zhdukja e tij pa gjurmë, ka frymëzuar autorë të shumtë gjithandej viseve shqiptare duke u marrë vazhdimisht me këtë çështje kaq të dhimbshme dhe të nevojshme, njërin ndër ta sot e kemi në mesin tonë, shkrimtarin dhe publicistin Sefer Pasha të cilit i urojmë mirëseardhje në Rahovec, në qytetin e profesorit Ukshin Hoti”, tha Latifi.

Shkrimtari dhe publicisti, Sefer Pasha, figurën e Ukshin Hotit e krahasoi me simbolin e shqiponjës e cila kudo që shkon e ka vendin e vet më të lartë.

Pasha: Ukshin Hoti ngjan me shqiponjën

“Sot jam në pozitë të vështirë unë i besoj një ideje, një misteri që qarkullin në botë se kur ka gëzime, mort, shqetësime ai që është i zhdukur apo i vdekur vjen aty te familja e tij, unë i besoj kësaj teorie dhe besoj se edhe Ukshin Hoti është në mesin tonë, në këtë kuptim ligjërata ime do të jetë e vështirë, sepse unë mendoj se ai na dëgjon. Dhe këtë që bëtë ju kryetar nuk është për mua, është nder për Ukshin Hotin, nder për Rahovecin dhe Kosovën. Unë gjithmonë them një gjë e cila lidhet me krahasime për Ukshin Hotin. Ai ngjan me shqiponjën, sepse shqiponja dhe kur ulet në fushë, e gjen një fije që të jetë e lartë dhe kur do të jetë në kodër gjen një fletë më të lartë edhe kur është në majë të malit ajo do të gjejë një gjë të lart edhe mbi re e kështu ishte Ukshin Hoti”, tha Pasha.

Në emër të familjes së Ukshin Hotit, motra Myrvete Kasumi, u shpreh falënderuese për të gjitha veprat e shkrimtarit Sefer Pasha, të cilat janë shkruar për jetën dhe veprën e Ukshin Hotit.

Kasumi: Faleminderit të gjithë juve për pjesëmarrje

“Falënderoj kryetarin e Komunës së Rahovecit, të cilët kanë marrë këtë iniciativë për nderimin e Sefer Pasha, dhe ju falënderoj për pjesëmarrje të gjithëve”, tha Kasumi.

Mirënjohje për shkrimtarin Sefer Pasha shprehën edhe kryetari i Shoqatës Arberia Dërvish Qadraku dhe Selami Hoti në emër të fshatit.

Ndryshe, më 16 maj 1999, kur në Kosovë po zhvillohej lufta, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe, por dhe pse doli nga burgu, ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Më 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, i cili bombardohet nga NATO-ja.

Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.

Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitraloza, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë.

Human Rights Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat