Reagon ish pjesëtari i ZOLL-it: Presidenti Thaçi dekoroi me medalje “veteranin e rrejshëm”

Aktuale

Reagon ish pjesëtari i ZOLL-it: Presidenti Thaçi dekoroi me medalje “veteranin e rrejshëm”

Nga: V.R Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 19:32
Ismajl Sejdiu Hashim Thaçi

Ish pjesëtari i  Brigades 151, të Zonës Operative të Llapit, Murat Ajeti, ka reaguar ndaj vendimit të Presidentit Thaçi për dekorimin Ismajl Sejdiut me dekoratën “Urdhrin e lirisë”.  Ai ka shprehur habinë se si ka mundësi që ky njeri(Ismajl Sejdiu) të pranojë edhe të marrë certifikatën e Veteranit luftëtarë, pasi sa i përket periudhës së luftës në Kosovë nuk ka qenë asnjë orë i inkuadruar në këtë në luftë.

“Fenomeni i Veteranëve të rrejshëm dhe të pameritë, lëndon rëndë moralin dhe ndërgjegjen e veteranëve të vërtet, derisa ka më se 100 të  këtillë, pra veteranë të vërtetë, që nuk marrin asgjë, edhe pse janë më të merituarit e luftës për liri”, thuhet mes tjerash në reagim.

Më poshtë ju sjellim reagimin e plotë:

E vërteta nuk tjetërsohet në asnjë kohë, sidomos ajo e kohës së luftës për liri!...

Me datë 17 të muajit Nëntor, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dekoroi dy veteranët e luftës të ZOLL me Dekoratën “Urdhri i lirisë”. Duke qenë i nxitur nga kjo ngjarje e ndarjes së dekoratave nga presidenti për këta dy persona Ismalj Sejdiu dhe Isak Shabani, shpreh indinjatën time për njërin nga të dekoruarit, duke qenë njeri nga pjesëtarët e luftës në ZOLL, në mënyrë që të shpjegohet e vërteta ashtu sikundër ka ekzistuar,në këtë rast edhe për njërin nga të dekoruarit, në mënyrë që ajo të pranohet edhe nga publiku vetëm si e vërtetë e patjetërsueshme.

Meqë që nga paslufta e këndej po ballafaqohemi dhe jemi dëshmitarë edhe të fenomenit të marrjes së meritave të akcilëve në emër të luftës së vlerave të saj, sikur ka ndodhur edhe fenomeni më degradues dhe indinjues i Veteranëve të rrejshëm në emër të luftës çlirimtare, po kështu edhe me rastin e ndarjes së dekorimit të këtyre personave nga presidenti Thaçi, mendoj se edhe me këtë rast duhet thënë e vërteta, sidomos e kohës së organizimit të luftës dhe zhvillimeve të saj dhe për personazhin e dekoruar për ta vlerësuar peshën e të (pa)vërtetës dhe të (pa)meritës së këtij dekorimi.

Theksi i këtij reagimi vihet te ndarja e Dekoratës së presidentit për z.Ismajl Sejdiu. Në asnjë mënyrë nuk e vendos këtë reagim timin përkundrejt personit në fjalë për shkaqe personale, por duke qenë njëri nga pjesëmarrësit e të gjithë atij organizimi të luftës në ZOLL, ndjej përgjegjësi morale për ta shpjeguar të vërtetën e asaj kohe dhe të atij organizimi luftarak dhe ushtarak për çlirim nga okupatori serb. Sa i përket z.Ismajl Sejdiut më duhet të them me përgjegjësi morale se, më duhet të sqaroj për opinionin që nga takimin i parë me të, dhe në kronologji të rrjedhës së ngjarjeve, kështu që publiku le ta vlerësojë vetiu të vërtetën.

Zotëri Ismajl Sejdiun e kam takuar për herë të parë 1997, dy muaj pas vrasjes së Zahir Pajazitit, në kafenë “Dardania” në Tiranë, i cili më tregoi se kishte ardhur në Tirane duke qenë, sipas tij, i kërkuar nga policia serbe në Kosovë. Ai dëshironte të kontaktojë me përfaqësinë e Kosovës në Tiranë, por meqë atë ditë përfaqësia e Kosovës ishte e mbyllur. I thashë se atë natë do të vinte në banesën time për të fjetur, ngase i thashë së cimeri ime “Mërgimi”-Ilir Konushevci kishte ikur për në Bajram Curr. Ai nuk reagoi dhe as që dha shenja se po e njifte Ilir Konushevcin, por dhe kjo ishte realitet, ngase nuk ka qenë e mundur që Treshja ta njifte Treshën tjetër!...Me këtë rast as unë nuk i kam treguar që kemi pasur kontaktet tona me heroin Zahir Pajazitin, jo përpara, por pas kthimit prej ushtrimeve në vitin 1991 dhe takimet në Tiranë e në Kosove. Më duhet ta theksoj se me Zahirin jam takuar qysh kur kanë mbërritur në Tiranë me bashkeluftëtarët e tij të gueriles, Ilir Konushevcin, Shaip Hazirin, Avni Ajetin, më vonë edhe Selim Hazirin, Naim Hazirin/Dilaverin…Për këta luftëtarë të gueriles mund të them të vërtetën, se kishin interesimin permanent për marrjen e armatimit dhe për t’u kthyer në Kosovë, e për të luftuar kundër pushtuesit serb, ndërsa për z.Smajl Sejdiu them të vërtetën, se nuk e ka pasur këtë qëllim, por pikësynim i tij ishte për të dalur në Perëndim, dhe këtë dalje ia ka bërë të mundur Përfaqësia e Kosovës në Tiranë. Madje më duhet ta theksoj se ia kanë siguruar edhe mjetet për udhëtim. Tashmë po çuditem se si ka mundësi që ky njeri të pranoj edhe të marrë certifikatën e Veteranit luftëtarë!...Edhe sa i përket periudhës së luftës në Kosovë nuk ka qenë asnjë orë i inkuadruar në këtë periudhë, ndërsa sa i përket angazhimit të tij rreth ndihmës me të holla me bashkatdhetarët tanë në Evropë, nuk dyshoj në angazhimin e tij, por kjo nuk do të thotë se u dashka t’i shpërblehet me Veteranizëm apo me Individualitete të luftës, ngase ky angazhim humanitar, sikundër i shumë bashkëtadhetarëve tanë në Evropë, nuk ka të bëjë asgjë me luftën dhe angazhimet e tij në luftën çlirimtare. Për atë angazhim duhet njohur meritat, por assesi ndonjë meritë për luftën dhe angazhimet e tij në luftë, ngase nuk i ka pasur. Fenomeni i Veteranëve të rrejshëm dhe të pameritë, lëndon rëndë moralin dhe ndërgjegjen e veteranëve të vërtet, derisa ka më se 100 të  këtillë, pra veteranë të vërtetë, që nuk marrin asgjë, edhe pse janë më të merituarit e luftës për liri. Këtu më duhet të them, se më çudit fakti se si ka mundësi që këtë fakt nuk e dinë Shtabi, sesa është rritur numri i veteranëve të rrejshëm!...Me këtë rast dua të ua kujtoj se, që pas Betejës së Kaqandollit i kane bërë dy brigada, por saktësisht kemi qenë jo më tepër se 230 luftëtarë, të armatosur kanë qenë 70, kurse të tjerët kanë qenë kadetë, që i ushtronte komandant Leka/Nuredin Ibishi. Në një kohë ata ikën në shtëpitë e veta, por më vonë kur morëm armatim, u kthyen dhe u mobilizuan. Pra, duhet thënë e vërteta, se nuk kemi qenë as batalion e jo assesi dy brigada. Mobilizimi më i madh është bërë atëherë kur e larguan popullatën civile nga vatrat e tyre. Me këtë rast janë marrë të dhënat nga të gjitha njësitë se sa ushtarë janë në Zonën Operative të Llapit. Nga të dhënat në atë kohë numri ka qenë si vijon: Brigada 151-863 pjesëtarë, Brigada 152-484 pjesëtarë, Brigada 153-186 pjesëtarë, ndërsa komanda e Zonës Operative të Llapit kanë qenë 128 pjesëtarë bashkë me njësitin parashtabor. Këto shënime i ka kërkuar komandanti i Zonës Operative të Llapit, z. Rrustem Mustafa, ndërsa i ka regjistrue në kompjuterë Zejnullah Zejnullahu dhe oficer Tafil Avdia-Batusha. Fatkeqësisht këto lista janë ndryshuar pas demobilizimit të UÇK-së në TMK, ndërsa sa i përket batalionit të Orllan, ai është formuar pas luftës!...Mund të them me plot përgjegjësi se në kohën e luftës ishim të gjithë UÇK, ndërsa nga Orllani dhe fshatrat përreth kemi kyçur 2 oficerë; Idriz Shabani dhe Nuredin Ibishi dhe 14 pjesëtarë, të cilët s’po i përmendi me emra, por që për këta me mirë e dinë Luta dhe Leka. Më duhet të theksoj poashtu se disa veteranë që jane aty dhe gëzojnë edhe disa pozicione, nuk kanë qenë kurrë pjesëtarë të UÇK-së. Kështu që mendoj se është koha që më në fund drejtësia t’i hetojë këta “veteran” dhe disa “invalidë” të luftës, por që janë të rrejshëm, ngase fatkeqësisht  ka shumë nga të vërtetit, që me vite nuk kanë gëzuar asnjë benificion apo ndonjë pension të veteranit luftëtarë apo tjetër, kështu që në Llap kemi tri raste të vetëvrasjeve të këtyre ish-prestarëve të UÇK-së dhe çuditërisht për këto vdekje apo t’i quajmë “Vetëvrasje”, asnjëherë askush nuk ka denjuar t’ua vërtetojë vdekjen apo shkaqet e vdekjes, pavarësisht se raste të njëjta ka shumë në Kosovë.

Murat AJETI, ish pjesëtarë i Brigades 151, ZOLL.

Prishtinë, 25 Nëntor 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat