Ish-ambasadori Hamiti: Nuk ka dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit - Bota Sot
Ish-ambasadori Hamiti: Nuk ka dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit

Aktuale

Ish-ambasadori Hamiti: Nuk ka dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit

Nga: N.H Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 21:49
Muhamet Hamiti

Ish-ambasadori i Republikës së Kosovës, në Britaninë e Madhe, Muhamet Hamiti, ka thënë se Presidenti i Serbisë është me sa duket autokrati i parapëlqyer i Perëndimit në Evropë.

Hamiti në një shkrim të publikuar në rrjetin e tij social në Faceboo, ka shkruar se shpesh na bie të dëgjojmë lëvdata nga politikanë e diplomatë perëndimorë për liderin e ‘guximshëm’ Vuçiq, duke e parë si të reformuar e madje edhe si demokrat.

“I guximshëm është Vuçiqi kur mohon luftën gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve dhe Kosovës, ndërsa masakrat si ajo e Reçakut, gjerësisht e dëshmuar si e tillë në sistemin ndërkombëtar, i quan ‘fabrikime’. I gjithë establishmenti i Serbisë është i guximshëm në këtë pike”, ka shkruar Hamiti në Facebook.

Ja shkrimi i tij:

Nuk ka dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit

Presidenti i Serbisë është me sa duket autokrati i parapëlqyer i Perëndimit në Evropë. S’kemi parë ende dënim pa ekuivoke të deklaratave të Vuçiqit ‘për liderin e madh Millosheviq’, që i bëri vitin e kaluar në Mitrovicë, apo mohimin që i bëri ky këto ditë dhjetori masakrës së Reçakut të janarit të vitit 1999, kur u vranë dhjetëra shqiptarë prej trupave të Qeverisë së Millosheviqit. Në kabinetin e luftës të Kasapit të Ballkanit bënin pjesë edhe Vuçiqi e Daçiqi, liderët aktualë të Serbisë.

Shpesh na bie të dëgjojmë lëvdata nga politikanë e diplomatë perëndimorë për liderin e ‘guximshëm’ Vuçiq, duke e parë si të reformuar e madje demokrat. Vetëm rrallë, pa ia përmendur emrin, rrotull, ndonjë kritikë të butë për të, si tue e marrë me të mirë kur shkallon me deklarata si këto që u përmendën.

I guximshëm është Vuçiqi kur mohon luftën gjenocidale të Serbisë kundër shqiptarëve dhe Kosovës, ndërsa masakrat si ajo e Reçakut, gjerësisht e dëshmuar si e tillë në sistemin ndërkombëtar, i quan ‘fabrikime’. I gjithë establishmenti i Serbisë është i guximshëm në këtë pikë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat