Situata sa vjen e tensionohet: Abdixhiku thotë se Vetëvendosje ka shkelur marrëveshjen paraprake me LDK-në - Bota Sot
Situata sa vjen e tensionohet: Abdixhiku thotë se Vetëvendosje ka shkelur marrëveshjen paraprake me LDK-në

Aktuale

Situata sa vjen e tensionohet: Abdixhiku thotë se Vetëvendosje ka shkelur marrëveshjen paraprake me LDK-në

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 20:21
Lumir Abdixhiku

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Vetëvendosje ka shkelur njërën nga marrëveshjet e arritura në ditën e parë të diskutimeve për arritjen e koalicionit qeverisës.

Sipas tij, dy partitë ishin marrë vesh që të mos bëhet asgjë publike derisa të arrihet marrëveshja finale. Në Rubikon të KTV-së, Abdixhiku ka thënë se kjo është shkelur nga Vetëvendosje duke nxjerrë diskutimet nga tavolina e liderëve në publik.

“Kur takohen dy liderë, dhe vetëm ata dy në takim, nuk i takon të tretit të interpretojë detajet e takimit. Nëse vendosin ta bëjnë publike substancën e takimit, mund ta bëjnë. Edhe po të më takonte të interpretoja do të thosha dy marrëveshje që kemi, që asgjë s’është e marrë vesh derisa gjithçka të merret vesh dhe e dyta që është shkelur që substanca e diskutimeve të mos bëhet publike derisa të ketë marrëveshje finale. Gjatë javës së kaluar ka pasur zyrtarë të VV-së që diskutimet nga tavolina e liderëve i kanë bartur në publik. Kjo është mes naivitetit dhe qëllimit jo të mirë për të arritur marrëveshje, sepse tjetër shpjegim s’mund të gjej, por kur e vendos diskutimin mes palëve me mirëbesim, në publik e dërgon te militantët”, ka thënë ai.

“Atë që e kemi ndërtuar për dy vjet gjatë opozitarizmit të përbashkët, kur parandaluam qeverisjen më të keqe që ka pasur Kosova e të marrim iniciativa të mira, mirëbesimin me përafrimin e dy palëve, dhe mirëbesimin e ndërtuar gjatë takimeve përafruese, kam përshtypje se e lëkundim po që se e vendosim debatin në publik. Kjo e ul nivelin e mirëbesimit. Dua të besoj se kjo është e shkuar dhe se takimi i sotëm shërben për rindërtimin e mirëbesimit dhe kthejnë nivelin e beismit në nivel optimal për të ndërtuar qeverisje të gjatë”, ka thënë ai për takimin e sotëm të krerëve të partive, Albin Kurtit të VV-së e Isa Mustafës së LDK-së ku u tha se u pajtuan për të vazhduar bisedimet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat