Kështu janë pajtuar VV-LDK që të duket Qeveria e re - Bota Sot
Kështu janë pajtuar VV-LDK që të duket Qeveria e re

Aktuale

Kështu janë pajtuar VV-LDK që të duket Qeveria e re

Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 15:46
Isa Mustafa, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti që dolën më të votuarat në zgjedhjet e 6 tetorit, janë duke vazhduar edhe sot bisedimet për rrumbullakësimin e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.

Mirëpo, ajo çka tashmë dihet është se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pas një procesi të gjatë bisedimesh, janë marrë vesh për mënyrën sipas së cilës do t’i ndajnë ministritë në koalicionin e ardhshëm qeveritar.

Qeveria e ardhshme e Kosovës nuk do të ketë më shumë se 12 ministri. Për këtë janë pajtuar dy partitë të cilat pritet të formojnë Qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. E, gjithë kjo do të ndodhë me shkrirjen e disa ministrive në një ministri të vetëm, për çka këto dy parti janë pajtuar edhe për emrat zyrtar të dikastereve të ndryshme.

Lëvizja Vetëvendosje në bazë të marrëveshjes së arritur do ta ketë: Ministrinë e Financave dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Integrimeve Evropiane, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Industrisë dhe Punës, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Drejtësisë.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në Kuvend ka vetëm një deputet më pak, do të marrë: Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Zhvillimit Rajonal, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Ambientit, Infrastrukturës dhe Transportit, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Administratës dhe Pushtetit Lokal.

Ndërsa, dy ministritë që u janë lënë minoriteteve, janë Ministria e Kthimit dhe Ministria e Kulturës.

Kujtojmë se bisedimet mes këtyre dy partive janë duke vazhduar edhe sot, ndërkohë që ka mbetur pezull edhe Pozita e Presidentit të cilën e ka kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat