Kërcënohet me jetë Adem Salihaj, ja nga kush

Aktuale

Kërcënohet me jetë Adem Salihaj, ja nga kush

Nga: N.Sh Më: 1 janar 2020 Në ora: 15:52
Adem Salihaj

Siç duket, në Kosovë është bërë normale të kërcënohen njerëzit, madje organet e drejtësisë nuk i marrin këto kërcënime me shqetësim të madh.

Para pak kohësh u kërcënua për të saten herë edhe Adem Salihaj, ish zëvendës-kryeministri dhe ish deputeti i LDK-së, madje u kërcënua pikërisht nga djali i personit, i cili u dënua për tentim vrasje ndaj Adem Salihaj, pra nga djali i Shaban Sylës, i cili me vendim të formës së prerë u dënua me 7 vjet burg.

Altion Syla, i revoltuar që babai i tij Shaban Syla ishte dënuar me 7 vjet burg për tentim vrasje, i dërgon në mesengjer (Facebook) Adem Salihajt dy mesazhe, me përmbajtje kërcënuese, duke i thënë se i ka ardhë fundi, madje duke iu kërcënuar me hakmarrje edhe ndaj familjes së tij, me fjalët se “gëzimi ma i madh në familje ka me të dal idhnim”, shkruan gazeta “Bota sot”.

Këto kërcënime djali i Shaban Sylës, Altion Syla i bëri në dy mesazhe të dërguara njërin pas tjetrit.

Këtu më poshtë po japim mesazhet kërcënuese, të cilat ia dërgoi Altion Syla ish deputetit Adem Salihaj.

 “Adem shpijuni tka ardh fundi e kam ne dor ingjizimin tan qe e ke sajuar rastin e babes tem Shaban syla se ti as se ke njoft baben tem e ke ba pazar 10 mi ero foton e babes tem e ja ke jap veq 300 ero tash i kem ingjzimet ne dor qysh i ke fol pare qysh e ke muntu rastin”, shkruan ai.

Në të njëjtën kohë, duke mos u mjaftuar me kaq, ia dërgon Adem Salihajt edhe mesazhin tjetër kërcënues:

“Beso ose mos beso do merrmi me ty ose me ligj ose me kanun herdo kurdo do vije koha qysh e ke muntu rastin e kush u kan mrapa saj ngzimin mat madh nfamilje qi e ka ka mo dal idhnim se ti je shpijun i bia-s serbe edhe mupit serb (shkive)”, vazhdon mesazhin tjetër Syla.

Ish deputeti e kishte denoncuar rastin ne prokurori, por në vend se të ndërmerreshin masa serioze, organet e ndjekjes nuk e marrin këtë me ndonjë shqetësim serioz dhe deri më tash nuk ka ndonjë njoftim se është ndërmarrë diçka, me arsyetimin se kërcënuesin e ka kërkuar policia, por nuk e ka gjetur ne shtëpi. 

Madje, ish deputetit Adem Salihaj i vjen një kërcënim i ri, tash nga vetë Shaban Syla, i cili ia shkruan një letër nga burgu, duke arsyetuar veprimin e djalit të tij dhe duke iu kërcënuar edhe vetë se do ta ndjek me kanun.

Është tepër shqetësues fakti se gjuha fyese, shpifëse e kërcënuese po bëhet e normale në Kosovë, kurse kërcënimin me jetë organet kompetente nuk e marrin aspak me seriozitet.

Duhet theksuar faktin se me këso gjuhe paraprakisht janë kërcënuar shumica e aktivistëve të LDK-së, e pastaj janë vrarë apo plagosur, apo vrasja ka mbetur ne tentim.

Së fundmi, është kërcënuar edhe Albin Kurti dhe djali i Isa Mustafës.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat