Përfundon intervistimi i Krasniqit për vdekjen e Deharit, do të merret në pyetje edhe shoku i dhomës Adonis Gashi

Aktuale

Përfundon intervistimi i Krasniqit për vdekjen e Deharit, do të merret në pyetje edhe shoku i dhomës Adonis Gashi

Më: 9 janar 2020 Në ora: 13:22
Astrit Dehari

Ka përfunduar marrja në pyetje e ish-drejtorit të Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqi lidhur me vdekjen e Astrit Deharit.

Pas këtij intervistimi i cili zgjati më shumë se 2 orë, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se Krasniqi ka sqaruar deklaratën e dhënë atë kohe në media. Sipas tij, Krasniqi ka thënë se informatat lidhur me vdekjen e Astrit Deharit ia kishte dhënë drejtori i atëhershëm i Burgut, Destan Zogaj, dhe se kjo kishte qenë e vetmja informatë që e kishte Krasniqi në lidhje me vdekjen e Deharit, raporton KTV.

Deri më tani nga Prokuroria Speciale janë intervistuar 14 dëshmitarë ndërsa edhe 3 tjerë pritet të intervistohen.

Në mesin e personave që pritet të intervistohen është edhe Adonis Gashi i cili për momentin sipas raportimit të mediave është në arrati. Gashi ishte njëri prej personave i cili ishte në qeli me Deharin.

Intervistohet ish-drejtori i Policisë në Prizren për rastin Dehari

Ish-drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, është duke u marrë në pyetje nga hetues të Policisë së Kosovës.

KTV-ja raporton se Krasniqi këtë mëngjes është sjellë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, për t’u marrë në pyetje lidhur me rastin e Astrit Deharit. Pasi rasti i Astrit Deharit është bartur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit në Prokurorinë Speciale, kjo e fundit ka nisur me intervistimin e personave që lidheshin me këtë rast.

Rikujtojmë se pak pasi ishte gjendur i vdekur Dehari, Krasniqi në një deklaratë kishte përmendur përdorimin e medikamenteve si shkak që kishte rezultuar me vdekjen e Deharit. Krasniqi, vitin e kaluar është larguar nga pozita e tij si Drejtor i Policisë në Prizren dhe aktualisht mban një pozitë në Policinë Kufitare.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e ka konsideruar tronditës lajmin për arratisjen e shokut të qelisë së Astrit Deharit, Adonis Gashi.

“Mbrëmë nga portali kallxo.com u informuam se njëri nga personat që ka qenë në dhomë me aktivistin tonë, Astrit Dehari, është zhdukur. Padyshim se ky lajm ishte tronditje e radhës për të gjithë ne që kërkojmë drejtësi për Astritin!”, ka shkruar ajo. Adonis Gashi, ishte njëri nga tre shokët e qelisë së Deharit, dhe fillimisht, nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në tetor të vitit 2018 ishte dënuar me 3 vjet e 10 muaj burgim, për “ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.

Gjykata e Apelit, në maj të vitit të kaluar, kishte ashpërsuar dënimet ndaj të akuzuarve, përfshirë Adonis Gashin, që dënimin ia kishte rritur në 8 vjet burgim. Adonis Gashi, ishte në liri deri sa vendimi ndaj tij të bëhej i plotfuqishëm, derisa bashkë me 4 të tjerë, ishin dënuar për rastin e vrasjes së policit Shemsedin Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat