Brenda akademisë mbretërore ushtarake, ky është instruktori i FSK-së që trajnon oficerët nga vende të ndryshme të botës

Aktuale

Brenda akademisë mbretërore ushtarake, ky është instruktori i FSK-së që trajnon oficerët nga vende të ndryshme të botës

Më: 8 shkurt 2020 Në ora: 16:50
Kapiten Hoxha është instruktori i parë që FSK e ka në Akademinë Mbretërore.

“Shumë njerëz janë të interesuar të dinë për vendin tënd. Kjo është jashtëzakonisht e mirë sepse ka njerëz që fare pak kanë ditur për ushtrinë tonë, tani kanë njohuri se ku është Kosova dhe çfarë ushtrie e ka Kosova”.

I veshur në uniformën e Ushtrisë së Kosovës, mban në krah flamurin e Republikës së Kosovës, derisa trajnon kadetë nga vende të ndryshme të botës. Dhjetëra kadetë që vinë nga 30 vende të të botës, janë nën komandën e tij, ku ai përkujdesët për disiplinën dhe mirëqenien e tyre. Është kapiteni i FSK-së, Ismail Hoxha, i cili po shërben instruktor në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst, në Mbretërinë e Bashkuar.

Kapiten Hoxha është instruktori i parë që FSK e ka në Akademinë Mbretërore.

Është hera e parë që Forca po ekspozohet më ndryshe, meqë deri tani, në Sandhurst, FSK ka qenë prezente vetëm me kadetë të cilët shkolloh en aty.

Tani, me një instruktor i cili është i ngarkuar të trajnojë kadetët britanez, amerikan e shtetas të vendeve të tjera të botës, FSK po dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin për të ecur përpara me misionin e ri ushtarak.

Kapiten Hoxha në një intervistë për KosovaPress, thotë se punën si instruktor në një prej akademive më të mëdha në botë e sheh përgjegjësi të madhe, marrë parasysh që përfaqëson FSK-në, për të cilën thotë se është shembull profesional i ushtrisë.

Hoxha: Misioni im në Britani është të trajnoi oficerët që janë nën komandën time

“Këtu misioni im është që të edukoj, trajnoj dhe përkujdesem për disiplinën dhe mirëqenien e kadetëve të cilët janë nën komandën dhe trajnimin tim. Kjo do të thotë të që të përkujdesëm që edukimi i tyre të jetë në nivel, në bazë të standardeve të cilat kërkohen këtu në akademi dhe gjithashtu të jem në përkujdesje të mirëqenies së tyre që mos të kenë probleme të tjera që i shqetësojnë ata në kuptimin e arritjes së standardeve që ata kanë nevojë me i arrit, por në të njëjtën kohë të përkujdesëm për disiplinën e tyre që këta t’i përmbahen standardeve dhe vlerave të disiplinës që janë të vendosura në Akademinë Mbretërore”, thotë Hoxha.

Ai shprehet optimist që Forca do të vazhdojë të ketë instruktorë në këtë akademi edhe pasi misioni i tij të përfundojë në shtator të vitit 2021.

Kapiten Ismail Hoxha thotë se është ndjenjë e veçantë të shërbejë instruktor në Mbretërinë e Bashkuar nën uniformën e FSK-së, meqë sipas tij, njerëzit aty shprehin interesim të dinë më shumë për Kosovën dhe ushtrinë e këtij shteti të ri.

Hoxha: Ndjenjë e mirë të përfaqësosh Ushtrinë e Kosovës në botë

“Është ndjenjë e mirë sepse në radhë të parë e përfaqëson vendin tënd, kur e përfaqëson vendin tënd në një farë mënyrë je i veçantë në ambientin e akademisë sepse secili është i interesuar të dëgjojë për një kulturë tjetër, dhe me dëgju për një ushtri tjetër. Për atë arsye, ka edhe shumë individë që vijnë dhe të qasen dhe janë të interesuar të dinë për vendin tënd. Kjo është jashtëzakonisht e mirë sepse ka njerëz që realisht pak fare kanë ditur për ushtrinë tonë dhe tani të paktën kanë një njohuri se ku është Kosova, çka bën Kosova, çfarë ushtrie ka Kosova, çfarë kapacitete ka Kosova dhe çfarë aspirata ka Kosova për të ardhmen”, shton Hoxha.

Edukimin e kadetëve të FSK-së në Mbretërinë e Bashkuar, komandanti i FSK-së gjenerallejtnant Rrahman Rama e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Rama: Shkollimi i kadetëve, jashtëzakonisht i rëndësishëm për Forcën

“Është një edukim i jashtëzakonshëm, jashtëzakonisht i rëndësi shëm dhe i mirë për të gjithë, dhe ne na gëzon fakti që ne tash kemi një instruktor si rezultat i përformancës së tyre gjatë shkollimit në Britaninë e Madhe, ne kemi arritur si Forcë e Sigurisë, si vend i ri, institucion i ri që të kemi instruktorin, që është kapiten Ismail Hoxha që në bazë të përfomancës së treguar, që është dekoruar edhe nga Princi Charles me shpatën e argjendtë, që shumë rrallë ndodh një student ndërkombëtar të marrë atë nderë, që të ketë atë nderë të marrë atë shpatë”, thotë komandanti i Forcës.

Ndërkohë britanezët, instruktorin e FSK-së në Akademinë Mbretërore, e shohin si mundësi fantastike për vet ata e edhe për FSK-në.

Kolonel Jake White, i cili ka shërbyer këshilltar i komandantit të FSK-së, thotë se prezenca e pjesëtarëve të FSK-së në akademi, mundëson që të zhvillohet më shumë Forca, dhe të ruhen marrëdhëniet e qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

White: Ismail Hoxha në pozitën e instruktorit, mundësi fantastike për Britaninë dhe Kosovën

“Që ta kemi Ismajl Hoxhën në Sandhurst është një mundësi fantastike si për Mbretërinë e Bashkuar, po ashtu edhe për Kosovën. Kjo i lejon Kosovës të krenohet me këtë vend të Akademisë prestigjioze Ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, që të trajnoi jo vetëm oficerët dhe kadetët britanik, por edhe shtetas të tjerë të huaj siç janë amerikanët, pakistanezët, që të mos i përmend të gjithë kadetët dhe oficerët përafërsisht nga 30 vende të ndryshme ndërkombëtare në akademi”, thotë ai.

Aktualisht, atje po vijon studimet edhe nëntogeri Klevis Elezaj. Ndërkohë, FSK ka përfunduar procesin e përzgjedhjes edhe për dy nëntoger të cilën së shpejti nisin studimet në Sandhurst.

Elezaj: Përvoja që marrim në Sandhurst është e nivelit të lartë

“Eksperienca që e ka m pasur në FSK më ka ndihmuar shumë këtu me i kuptu gjërat më lehtë, dhe në momente sfiduese e stresuese me qenë më i qetë ndoshta se kolegët e tjerë këtu që ndoshta nuk kanë pasur një të kaluar ushtarake. Përvoja që marr këtu është e nivelit të lartë, është ushtri që i takon NATO-s, dhe kthehemi në Kosovë me një dituri më të madhe dhe shpresojmë me avancu Forcës e Sigurisë së Kosovës deri në nivelet e ushtrive të NATO-s. Pra është diçka shumë fitimprurëse dhe shumë e mirë për ushtrinë tonë”.

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar bashkëpunojnë ngushtë në fushën e sigurisë, ku pjesëtarë të Forcës shkollohen në Akademinë Mbretërore atje ,prej ku kanë mundësi të marrin njohuri të cilat pastaj mund t’i implementojnë në Forcë.

Kapiten Ismail Hoxha, që tani është instruktor në Mbretërinë e Bashkuar, gjithashtu kishe vijuar studimet në këtë akademi, në fund të të cilave ishte nderuar me “shpatën e nderit” nga Princi Charles.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat