Agim Bahtiri mbështet protestat e shaljanëve

Aktuale

Agim Bahtiri mbështet protestat e shaljanëve

Nga: A.SH Më: 9 shkurt 2020 Në ora: 18:58
Pamje nga takimi

Shaljanët të Kombinatit “Trepça” kanë paralajmëruar protesta për shkak të padrejtësive që po i’u bëhen dhe në mbështetje ju ka dalë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ai, ka thënë se ata u anashkaluan krejtësisht dhe në vend të punësimit shpërbleheshin me premtime të rrejshme.

“Pajtohem dhe mbështes fuqishëm protestën e nesërme me anë të së së cilës shaljanët kërkojnë drejtësi dhe barazi, sepse ky duhet të jetë synimi kryesor në shoqërinë tonë”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.

Postimi në Facebook:

Kombinati TREPÇA, gjithmonë ka qenë promotori kryesor i zhvillimit ekonomik të Mitrovicës, por edhe mbarë Kosovës. TREPÇA ka pasur prodhim të lartë, duke sjellë kështu profit të madh për vendin. Kjo për arsye sepse është punuar drejtë, është punuar pa hile.

Punëtorët janë kujdesur për minierën sikurse për shtëpinë e tyre, sepse realisht edhe ka qenë shtëpia e tyre e dytë. Falë saj kanë siguruar mirëqenie për familjet, arsimin për fëmijët e tyre dhe perspektivë për Kosovën në përgjithësi.

Menjëherë pas luftës, fal punës vullnetare dhe me rrezikshmëri të lartë për minatorët, miniera e TREPÇËS u shpëtua nga përmbysja dhe shkatërrimi i saj. Kjo ndodhi me vendosmërinë dhe sakrificën e minatorëve vendas, shaljanë.

Fatkeqësisht, shumë shpejt pas kësaj filloi implikimi i politikës në punën e minierës dhe u harrua kontributi i minatorëve vendas dhe dalëngadal ata u zëvendësuan me të dëgjueshmit dhe servilët partiak nga anembanë Kosova.

Shaljanët u anashkaluan krejtësisht dhe në vend të punësimit shpërbleheshin me premtime të rrejshme.

Assesi nuk pajtohem me ndarje krahinore, por gjithsesi nuk mund të pajtohem as me injorim të tillë që i bëhet Shalës nga paslufta. Nuk kërkojmë favorizime, por nuk pranojmë as anashkalime.

Pajtohem dhe mbështes fuqishëm protestën e nesërme me anë të së së cilës shaljanët kërkojnë drejtësi dhe barazi, sepse ky duhet të jetë synimi kryesor në shoqërinë tonë.

AB

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat