Fati i i koordinatorëve të Haradinajt, në dorë të Albin Kurtit

Aktuale

Fati i i koordinatorëve të Haradinajt, në dorë të Albin Kurtit

Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 17:24
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Sa mbajtën pozitën e koordinatorëve, gëzuan benefite sikur të ishin ministra. Mirëpo, ata që po mbajnë këto poste që nga qeveria Haradinaj, nuk dihet edhe sa do të marrin rrogë nga buxheti i shtetit. Me një vendim të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, do të mund të shkojnë në shtëpi të gjithë koordinatorët nacional, e personat e punësuar në zyrat e tyre.

Ani pse qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj pati numër rekord të ministrave e zëvendësministrave, kabinetit qeveritar iu ishin bashkuar edhe disa koordinator.

Qeveria e kaluar ishte arsyetuar se këto emërime po bëheshin për të shtyrë përpara reforma, megjithatë, nuk është bërë e ditur se cilat kanë qenë arritjet e këtyre zyrave të koordinimit.

Tash kur Qeveria Haradinaj ka një javë që është larguar nga pushteti, nuk dihet se çka do të ndodhë me fatin e 7 koordinatorëve të qeverisë Haradinaj, që gëzojnë rroga sa të ministrave dhe në ekip të tyre kanë të drejtë që të angazhojnë këshilltarë e asistentë.

Media ka dërguar pyetje për këtë çështje në qeverinë Kurti, megjithatë, nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës për këtë temë.

Sido që të jetë me një vendim potencial në qeverinë Kurti, këto zyra dhe koordinatorët mund të pushojnë së ushtruari detyrën.

Se çka do të ndodhë me fatin e tyre nuk e dinë as koordinatorët nacional.  Disa prej tyre madje kanë lënë vullnetarisht pozitat, pa e ditur se kur e nëse do të shkarkohen.

Përmes një postimi në Facebook, Besnik Tahiri, ishte i pari që bëri të ditur se ka dhënë dorëheqje nga pozita e koordinatorit Nacional për Reforma Shtetërore. Ai ka shkruar se përgjegjësitë e këtij funksioni janë bartur në departamentet brenda zyrës së Kryeministrit.

E njëjtë si Besnik Tahiri ka vepruar edhe një koordinator tjetër, Fatos Makolli, që ishte emëruar koordinator kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmi.

I kontaktuar, Fatos Makolli ka deklaruar se nuk e mban pozitën që e mbante në qeverinë Haradinaj.

“Unë jam larguar nga aty që një kohë, tash jam kthyer në Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Makolli.

Derisa kolegët e tij kanë lënë detyrat, njëjtë nuk po vepron edhe koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti. Madje, ai po tregohet edhe goxha aktiv duke marrë pjesë në disa aktivitete e duke shpërndarë libra.

I kontaktuar, Rexhep Hoti thotë se nuk do të që të komentojë nëse do të lëshojë këtë pozitë.

Ai nuk ka treguar nëse do të mbajnë takim me Albin Kurtin, për t’i treguar për punën që bën, ose nëse këto pozita do të shuhen së funksionuari.

“Nuk dua të flasë momentalisht për këtë temë”, ka thënë Hoti.

Pa koment për çështjen në fjalë duket se ka mbetur edhe Avdullah Hasani.  Koordinatori Nacional për Gjeneratën e Re ka thënë se nuk ka çka të thotë për këtë temë.

Mediaka provuar të kontaktojë edhe koordinatorët tjerë, por, që ata nuk kanë qenë të qasshëm për të komentuar temën në fjalë.

Megjithatë, me vendim të Ramush Haradinaj, si koordinator, përveç Besnik Tahirit, Rexhep Hotit, Avdullah Hasanit e Fatos Makollit ishin emëruar edhe Mendim Rugova, koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit, Burim Ramadani – koordinator Nacional për Integrime dhe Anëtarësim në NATO si dhe Jahja Lluka – koordinator për persona të pagjetur.

Burim Ramadani do ta lëshonte pozitën e koordinatorit gjatë kohës sa Haradinaj po udhëhiqte në qeverinë në detyrë, për t’u emëruar si Inspektor i Përgjithshëm në AKI. Edhe pozita e tij si koordinator ka mbetur e zbrazët.

Emërimet dhe këto pozita i patën kundërshtuar ashpër opozita e atëhershme LV – LDK, si dhe shoqëria civile.

Koordinatorët nacional kanë marrë pagë të barasvlershme me atë të ministrave dhe kanë pasur të drejtë që të emërojnë nga tre këshilltarë dhe një asistentë.

Ata janë paguar nga 2 mijë euro në muaj, derisa asistentët e tyre kanë marrë rrogë 580 euro. Edhe këta do të kishin pagën e vlefshme me këshilltarët dhe asistentët e ministrave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat