12 vjet pavarësi – dështojnë shërbimet sociale

Aktuale

12 vjet pavarësi – dështojnë shërbimet sociale

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 12:03
Ilustrim

Në kontekstin e politikës së Qeverisë për decentralizimin e iniciuar në vitin 2008, sektori i shërbimeve sociale në vend është përballur me ndryshime dramatike.

Decentralizimi është bazuar në Ligjin për Vetëqeverisje lokale 2008, Ligjin për financat e pushtetit lokal të vitit 2008 dhe të një memorandumi të mirëkuptimit të vitit 2009.

Sipas këtyre ligjeve, në janar 2009, komunat u bënë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve familjare dhe shërbimeve sociale. Megjithatë, në praktikë nuk u transferuan të gjitha kompetencat, duke përfshirë edhe shërbimet e veçanta të ofruara për fëmijët, personat e moshuar dhe personat me aftësi të kufizuar.

Njohësit e kësaj fushe thonë se shërbimet sociale që marrin familjen në nevojë nuk plotësojnë as nevojat minimale, ku për familjen me një anëtar ndahen 60 euro dhe për familjen 15-anëtare 180 euro.

Vehbi Mujku nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale, thotë se shërbimet sociale në Kosovë pas decentralizimit kanë dështuar, e krejt kjo sipas tij për faktin se këto shërbime kanë kaluar nëpër komuna dhe këto të fundit nuk kanë qenë në gjendje t’i menaxhojnë siç duhet.

Mujku tha për KosovaPress se rreth 25 mijë familje janë vartës të asistencës sociale, dhe shuma të cilën e përfitojnë është e pamjaftueshme për jetesë.

Ai thotë se një familje 5-anëtarëshe përfiton rreth 107 euro në muaj ose rreth 21 euro për anëtar, apo rreth 75 centë për një anëtar të familjes në ditë.

Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare pranë MPMS, Mentor Morina tha për KosovaPress, se shërbimet sociale për 2008 kanë qenë 40 euro për familje me një anëtar dhe rreth 80 euro për familjen me 15- anëtarë, ndërsa  në vitin 2020 për familjen një anëtar është 60 euro dhe atë 15-anëtarë është 180, rritje kjo e cila nuk është në nivelin e duhur.

Qytetarët shprehen të zhgënjyer nga mos përkujdesja që ofron shteti për këto kategori, pasi shumat e parapara nuk mjaftojnë as për blerjen e barnave e lëre më për nevoja të tjera elementare për jetesë

Fekë Sadikaj, thotë se Qeveria e Kosovës e ka lënë pas dore këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë, por ai shpreson se me qeverinë Kurti kjo gjendje do të përmirësohet.

Aspak i kënaqur me shërbimet sociale nuk ndihet as Halil Doda, i cili thotë se shuma e parave që ai merr nuk i dalin as për barna.

Sistemi i mbrojtjes sociale para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, fillimisht nga vitet 1999-2000 ishte në një fazë të reagimit emergjent ndaj krizës, regjim ky jo mirë i koordinuar, ku një numër i madh OJQ-ve ndërkombëtare e vendore, shpërndanin ndihma humanitare, kryesisht në ushqim për një numër të madh të popullsisë.

Vitet 2000-2002 ishin fazë e përkohshme, ku UNMIK-u udhëhiqte një konzorcium të OJQ-ve dhe donatorëve ndërkombëtarë për krijimin e sistemit të rrjetit të sigurisë së asistencës sociale të administruar nga UNMIK, derisa MPMS u themelua në vitin 2001 dhe katër vjet më vonë nxjerr Ligjin për Shërbime Sociale e Familjare, me të cilin për herë të parë në Kosovë vendoset baza ligjore për rregullimin e shërbimeve sociale.

Disa nga evidencat e mos zbatimit të suksesshëm të decentralizimit janë se komunat nuk kanë hartuar strategji apo plane vjetore për avancimin e shërbimeve sociale në komunat e tyre dhe në mungesë të grantit specifik, çështja e financimit të avancimit të shërbimeve sociale ka mbetur në vullnet të lirë politik të komunave, i cili në shumicën e tyre ka dështuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat