​Tentim sulmi ndaj Buzhalës, sulm direkt ndaj mendimit ndryshe

Aktuale

​Tentim sulmi ndaj Buzhalës, sulm direkt ndaj mendimit ndryshe

Më: 22 mars 2020 Në ora: 08:01
Berat Buzhala

Përfaqësues të institucioneve dhe subjekteve politike kanë reaguar pas tentim sulmit ndaj drejtorit të “Gazetës Express”, Berat Buzhala, duke thënë s është rasti i patolerueshëm dhe kanë ftuar autoritetet e rendit ta hetojnë rastin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar se tentim sulmi kundër drejtorit të “Gazetës Express”, Berat Buzhala, është i papranueshëm në shoqërinë tonë.

“Shteti demokratik i Kosovës është ndërtuar mbi të drejtat e njeriut, ku liria e shprehjes është përcaktuese për zhvillimin e demokracisë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, liderët institucionalë dhe politikë që të distancohen prej akteve të tilla”, ka shkruar ai.

Kurse, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se e drejta e lirisë së shprehjes dhe liria e medias janë të drejta themelore të garantuara edhe me Kushtetutë.

“Çfarëdo cenimi ndaj punës së me diave, respektivisht gazetarëve, është cenim ndaj demokracisë si vlerë sublime. Tentim sulmi ndaj gazetarit Berat Buzhala është sulm direkt ndaj mendimit ndryshe. Ftoj autoritetet e rendit ta hetojnë rastin. Gazetarët duhet ta gëzojnë fjalën e lirë, konform standardeve profesionale dhe ligjeve në fuqi. Ata këto ditë janë heronj gati po aq sa mjekët, infermierët, policët dhe shërbyesit e tjerë emergjentë që janë mobilizuar kundër pandemisë Covid-19. Prandaj duhet t’i përkrahim që të gjithë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar që personat që tentuan të sulmojnë drejtorin e Gazetës Express dhe Televizionit 7, Berat Buzhalën, të dalin para drejtësisë.

Limaj thotë se akte të tilla janë të patolerueshme dhe janë dënim kundër shprehjes së lirë.

“Dënoj ashpër tentimin për të sulmuar fizikisht gazetarin, Berat Buzhala. Akte të tilla janë të pa tolerueshme dh e janë cenim mbi të drejtën për t’u shprehur lirshëm”, shkruan Limaj.

Ai tha se kryerësit e kësaj vepre duhet të dalin para drejtësisë.

“Institucionet e rendit duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme që t’i sjellin para drejtësisë personat që tentuan ta sulmojnë gazetarin Buzhala”, përfundon Limaj.

E kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se tentim sulmi nga vagabondët, ndaj Berat Buzhalës, është i pa tolerueshëm.

“Organet e sigurisë dhe drejtësisë urgjentisht duhet të hetojnë dhe ti nxjerrin para drejtësisë këto fundërrina të dhunës. Shprehja dhe mendimi i lirë janë baza e çdo demokracie dhe këto baza duhët të ruhen si sytë e ballit pa asnjë kompromis”, ka shkruar ai.

Ndërsa gazetari Buzhala ka njoftuar se prokuroria ka filluar hetimet për zbardhjen e rastit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat