Smakaj: Në vendimin e qeverisë nuk ka elemente të shkeljes së Kushtetutës

Aktuale

Smakaj: Në vendimin e qeverisë nuk ka elemente të shkeljes së Kushtetutës

Më: 24 mars 2020 Në ora: 10:28
Riza Smakaj

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve në tërë vendin për shkak të përhapjes së virusit COVID-19 është në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Kështu thotë njohësi i çështjeve juridike dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smakaj, i cili thotë se qeveria ka vepruar sipas nenit 55 të Kushtetutës së Kosovës dhe se nuk mund të flitet për shkelje të Kushtetutës, madje ai thotë se nuk ka asnjë element të shkeljes së saj.

Neni 55 i Kushtetutës së Kosovës për kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore, në paragrafin 1 thuhet se të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj.

Smakaj: Ka vepruar në konformitet me nenin 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

“Kryeministri ka vepruar me dispozitë n e nenit 55 të Kushtetutës edhe të ligjit për rastet emergjente. Do të thotë ka vepruar në kornizën e autorizimeve zyrtare edhe në konformitet me rrethanat shëndetësore në vendin tonë. Nuk është mirë që të kundërshtohet, sepse është oportune për t’u kufizuar lëvizjet sidomos ato të panevojshme, që janë irrituese dhe janë provokuese, janë të dëmshme për shëndetin individual, familjar e të rrethit. Unë ua shoh për të madhe këtyre opozitarëve që në mënyrë të tërbuar e qortojnë qeverinë e në këto rrethana të jashtëzakonshme se përpos nevojës për legalitet ka nevojë edhe për moralitet, nuk ka legalitet pa moralitet. Prandaj, moraliteti këtu po mungon në radhën e parë, sepse në rrethana të jashtëzakonshme bëhen tentativa për të përfituar benifite politike diskutabile, që janë shumë diskutabile... Ka vepruar në konformitet me nenin 55 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nuk mund të flitet për shkelje t ë Kushtetutës, nuk ka asnjë element të shkeljes së Kushtetutës”, thotë ai.

Sa i përket kundërshtimit të kësaj mase nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, Smakaj thotë se kushdo që e kundërshton një veprim të tillë nuk bënë mirë.

Smakaj: Kushdo që e kundërshton nuk bënë mirë

“Kushdo që e kundërshton nuk bënë mirë. Aktualiteti shoqëror e shëndetësor e determinon nevojën imediate për kufizimet të lëvizjeve, sidomos të panevojshme se janë të dëmshme edhe për individin edhe për shoqërinë. Prandaj, baza kushtetuese ekziston, e ka shfrytëzuar qeveria dhe e ka dhënë dekretin”, thotë Smakaj.

Presidenti i vendit, në një konferencë natën e mbrëmshme ka thënë se ky vendim i qeverisë është antikushtetues dhe se lëvizja e lirë mund të kufizohet vetëm përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, Smaka për këtë thotë se kufizimi i përkohshëm i lëvizjes është në kompetencë të kryeministrit.

“Gjendja e jashtëzakonshme është me juridiksionin e presidentit, a kufizimi i përkohshëm i kushtëzuar i lëvizjes është në kompetencë të kryeministrit. Prandaj, ky e ka bërë të vetën, ai mund ta bëjë të vetën”, thotë ai.

Në mbledhjen e djeshme, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat