UNDP siguron artikuj mbrojtës për Agjencinë e Punësimit dhe Zyrat e Punësimit

Aktuale

UNDP siguron artikuj mbrojtës për Agjencinë e Punësimit dhe Zyrat e Punësimit

Më: 6 prill 2020 Në ora: 17:25
Foto nga takimi

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) dorëzoi sot disa pajisje mbrojtëse për nevojat e Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK) dhe Zyrave të saj të Punësimit.

Donacioni përfshinë maska mbrojtëse, pako me doreza gome mbrojtëse dhe dezinfektues duarsh me bazë alkooli, për nevojat e Agjencisë së Punësimit dhe 34 Zyrave të saj në tërë vendin, si një mbështetje për ta gjatë ofrimit të shërbimeve për punëkërkuesit dhe punëdhënësit/bizneset, gjatë kohës së përballjes me pandeminë COVID-19.

Të pranishëm në ceremoninë e dorëzimit ishin Alban Kryeziu, Menaxher i Projektit për Programet Aktive të Tregut të Punës (ALMP 2) dhe Drin Haraçia, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Punësimit.

Drejtori i APRK-së, Drin Haraçia, e vlerësoi mbështetjen e UNDP-së për Agjencinë dhe zyrat e saj, në këtë kohë të vështirë që po kalojnë qytetarët, duke theksuar se ky donacion do ta lehtësojë punën e tyre.

Kurse, Menaxheri i Projektit për Programet Aktive të Tregut të Punës, Alban Kryeziu, theksi se UNDP mbetet plotësisht e angazhuar të ofrojë ndihmën e saj në këtë kohë sfiduese të pandemisë duke theksuar se siguria e të gjithë ofruesve të shërbimeve të punësimit, punëkërkuesve dhe punëdhënësve, sikurse e të gjithë qytetarëve të Kosovës, është e një rëndësie të madhe.

UNDP në Kosovë është partner shumë vjeçar i Agjencisë së Punësimit dhe është e përkushtuar të mbështesë APRK-në dhe të rrisë mbështetjen posaçërisht në këtë kohë të vështirë me te cilën po përballemi aktualisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat