​Smaka thotë se vendimi për kufizimin e lëvizjes është në harmoni me Kushtetutën

Aktuale

​Smaka thotë se vendimi për kufizimin e lëvizjes është në harmoni me Kushtetutën

Më: 14 prill 2020 Në ora: 10:34
Riza Smaka

Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë që qytetarët do të mund të dalin jashtë shtëpive vetëm një herë në ditë dhe atë për vetëm një orë e gjysmë, e quan plotësisht të ligjshëm njohësi i çështjeve juridike dhe një prej hartueseve të Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka vepruar përshtatshëm dhe justifikueshëm në funksion të shëndetit të qytetarëve të Kosovës, ndërsa thekson se ai nuk ka besim tek Gjykata Kushtetuese, e për këtë thotë se ka ndikuar puna e papërgjegjshme e deritanishme e saj.

Smaka: Gjykoj se ka vepruar edhe politikisht edhe juridikisht mirë

“Unë konsideroj se Qeveria, përkatësisht ministri i Shëndetësisë gjithnjë ka vepruar mirë edhe në këtë rast ka vepruar përshtatshëm dhe justifikueshëm në funksion të shëndetit të qytetarëve të Kosovës. Pa masa të tilla qytetarët po të ishin koshient për pasojat e mundshme e të kobshme do të duhej që t’i përfillnin këto postulate të përcaktuara me vendimin për këto masa të kufizimit të lëvizjes. Tek e fundit edhe në Kushtetutë është përcaktuar kjo mundësi dhe ky bazament. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese kurrfarë besimi në të nuk kam duke u nisur nga puna e deritashme e papërgjegjshme që shpesh herë në vend që të vendoste sipas Kushtetutës ka vendosur sipas kërkesave politike ditore. Prandaj, këtu si thuhet në popull vetëm kush është tendencioz dhe që është mallicioz përpiqet me nxjerr si thuhet në popull qime prej tlynit. Prandaj, unë gjykoj se ka vepruar edhe politikisht edhe juridikisht mirë. Dy, mbetet që Policia jonë që të kontrollojë dhe të implementojë vendimin plotësues që është dhënë dje”, tha ai.

Sipas tij, edhe nëse dikush do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e kë tij vendimi, kjo e fundit do të duhej të vepronte në konformitet me realitetin ekzistues me interesin e përgjithshëm.

Smaka: Gjykata Kushtetute do të duhej të vepronte në konformitet me realitetin ekzistues

“Në Kushtetutë janë përcaktuar subjektet që mund t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese, se në fund të fundit mund t’i drejtohet sa për t’iu drejtuar, mund t’iu drejtohet, mirëpo unë po të isha bie fjala gjykatës në Gjykatën Kushtetuese natyrisht se do të kisha refuzuar si të pabazë...Nisem nga njohuritë edhe doktrinare dhe empirike kushtetutare që Gjykata Kushtetute do të duhej të vepronte në konformitet me realitetin ekzistues me interesin e përgjithshëm. Se nuk është ajo Gjykatë e faktit, faktike që në mënyrë dogmatike e aplikon dispozitën, por i merr për bazë rrethanat socioekonomike, politike e shëndetësore në këtë rast”, tha ai.

Minis tria e Shëndetësisë mbrëmë ka marrë vendim që qysh nga nesër qytetarët do të mund të dalin jashtë shtëpive vetëm një herë në ditë dhe atë për vetëm një orë e gjysmë sa për të kryer furnizimet me artikuj të domosdoshëm ushqimor ose obligime tjera financiare. Dalja e qytetarëve është rregulluar në bazë të numrit të parafundit të numrit personal.

Deri më tani në Kosovë janë 377 persona të infektuar me COVID-19, ndërsa kanë vdekur 8 persona.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat