Këshilltari i Thaçit tallet me Surroin: Po ngutesh, ende po të lakohet emri për diplomat

Aktuale

Këshilltari i Thaçit tallet me Surroin: Po ngutesh, ende po të lakohet emri për diplomat

Më: 23 prill 2020 Në ora: 12:13
Adil Behramaj

Këshilltari i Presidentit Thaçi, Adil Behramaj, është tallur me Veton Surroin, në një reagim ndaj një shkrimi të tij që u publikua sot.

Duke ditur se Surroi për kohë të gjatë ka ëndërruar të bëhet pjesë e historisë së re të Kosovës, njëherë me ambicie për t’u bërë president konsensual, më pastaj kryediplomat, e kur pa se po i shuheshin shpresat degradoi në ambasador të Kosovës në SHBA, Behramaj vendosi të tallet me të duke i thënë se “po ngutet, se ende po i lakohet emri kah Zyra e Presidentit, si diplomat i ardhshëm i Kosovës në Uashington”.

“Po ngutet pak Veton Surroi, se ende po i lakohet emri kah Zyra e Presidentit, si diplomat i ardhshëm i Kosovës në Uashington”, ka shkruar Behramaj në Facebook.

Tutje Behramaj thotë se për këtë e ka përkrahjen edhe të “Dragodanit”, duke aluduar tek amerikanët, pasi që më herët ish-ambasadori amerikan, Dell e kishte quajtur “zvarraniku nga Ozi” dhe nuk e kishte përkrahur për president konsensual.

“Madje për këtë e ka përkrahjen edhe të “Dragodanit”, që me gjasë kanë reflektuar rreth mundësisë që kishte lëshuar ish-ambasadori Dell, kur Surroin e kishte quajtur “Zvarraniku nga Ozi” dhe nuk e kishte përkrahur për president konsensual. Që nga atëherë çdo amerikan e kishte kafshuar ndërgjegjja dhe nuk kishin reshtur së kërkuari mundësi për ta përmirësuar gabimin e ambasadorit Dell me njeriun e jashtëzakonshëm, i cili ka mbetur në tentativë të përjetshme për t’i ndjekur hapat e babait të tij”, shkruan tutje këshilltari i Thaçit.

Behramaj ka vazhduar shkrimin e tij duke thënë se “askush më mirë se Veton Surroi nuk e kishte interpretuar përfaqësimin e unitetit të popullit. Pavetëdije sot kishte konstatuar se presidenti po e përfaqëson shumicën absolute të të zgjedhurve të popullit. Për të mos u keqkuptuar, kjo ishte hyrje në lekturën amerikane “Magjistari i Ozit”, në bazë të faqes 3, paragrafit të dytë. Ndërsa, me përshtatjen e personazheve të reja, unë vetëm e luajta rolin e autorit L. Frank Baum!”, përfundon postimin këshilltari i kreut të shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat