Maji dhe Qershori të “nxehtë”, priten aktakuzat e para nga Specialja

Aktuale

Maji dhe Qershori të “nxehtë”, priten aktakuzat e para nga Specialja

Më: 28 prill 2020 Në ora: 13:47
Hysni Gucasti

Një aktakuzë e re është dorëzuar në Gjykatën Speciale.

Aty është caktuar gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do të vendosë rreth kësaj aktakuze, përmbajtja e së cilës është konfidenciale.

Kjo është bërë e ditur të martën, përmes një njoftimi për shtyp të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

E, në lidhje me këtë, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në një lidhje direkte tha se marrë parasysh edhe situatën pandemike me Covid-19, mund të supozohet se aktakuzat e para do të ngritën në maj dhe qershor.

Por, për të është befasuese se kjo aktakuzë është ndryshe nga dy të mëhershmet.

“Aktakuzat kanë pasur të ngritën qysh më herët, por për shkak të epidemisë që ka ndodhur tash në gjithë botën, është shtyrë. Aktakuza e ditës së sotme na ka befasuar sepse është më ndryshe nga ato dy të parat, tash është kërkuar gjykatës tjetër. Pas daljes nga karantina dhe zbutjes së masave, muaji maj dhe qershor mund të jenë bukur të ‘nxehtë’ për pjesëtarët e luftës së UÇK-së. Kjo për neve është e papranueshme dhe të gjitha këto aktakuza do të jenë të pabaza”, ka thënë ai.

Gucati: Aktakuzat mund të jenë për komandantët e lartë, s’i përjashtojmë protestat

Ai tregon se në takimet që kanë pasur si OVL e UÇK-së me ndërkombëtarët janë pyetur se pas ngritjes se aktakuzave a do të protestojë kjo organizatë, e në bazë të kësaj, Gucati thotë se nënkupton se këto aktakuza do të jenë për komandantë të UÇK-së.

“Në bazë të gjitha rrethanave dhe takimeve që kemi pasur me ndërkombëtarët në vitin e kaluar në nëntor dhe dhjetor, në bazë të asaj që ata na kanë thënë neve, pas disa emrave që na janë përmendur, na thanë që a do të protestoni apo do të dilni në demonstrata, na kanë lënë përshtypje se aktakuzat do të jenë për komandantët e lartë, që kanë qenë në hierarkinë e lartë”, tha ai.

Gucati në këtë intervistë nuk ka përjashtuar mundësinë e protestave në raste të ngritjes së aktakuzave të para. Por, këtë vendim, sipas tij, do ta marrin bashkë me Kryesinë e Këshillin drejtues.

“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e protestave. Ne do të ulemi dhe do të bisedojmë me Kryesinë dhe Këshillin drejtues se si do të veprojmë . Ne prapë do ta ngrisim zërin dhe do t’i tregojmë një pjese të qytetarëve që nuk po e dinë ende që UÇK-ja nuk ka bërë krime dhe ka luftuar për vendin e vet”, ka thënë Gucati.

E, duke folur për diskursin publik që po përdoret së fundi në debatin për luftën e UÇK-së, thotë se është për keqardhje dhe shumë e turpshme njollosja e luftës së lavdishme të UÇK-së.

Ai derisa flet për deklaratat e fundit të Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe analistit politik, Baton Haxhiut, thotë se nuk ka askund në botë që falet gjaku.

“Më vjen keq që po përdoret kjo gjuhë ndaj UÇK-së. Është trup i madh për Shkelzen Gashin dhe për Baton Haxhiun, njëri që thotë se UÇK-ja ka bërë krime e tjetri që 20 vjet pas luftës duhet të falen këto krime, nuk ka në botë askund që falet një gjak. Gjuha që po përdoret është e vrazhdë, nuk duhet të përçahet populli. Nuk është hera e parë që Shkelzen Gashi e fyen UÇK-në, nuk e di pse Albin Kurti ende nuk ka dalë të distancohet nga gjuha e tij, nuk mjafton vetëm shkarkimi”, ka thënë Gucati.

Gjykata Speciale – me emrin Dhomat e Specializuara – funksionon me ligje të Kosovës, por selinë e ka në Hagë.

Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në mesin e tyre ka pasur edhe ish-figura të larta të UÇK-së, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat