Makolli për Pacollin: Non sens i llojit të vet, u cenua e drejta e deputetit

Aktuale

Makolli për Pacollin: Non sens i llojit të vet, u cenua e drejta e deputetit

Më: 29 prill 2020 Në ora: 00:28
Vesel Makolli

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli ka thënë se nuk ka informata se ku ndodhet saktësisht lideri i kësaj partie Behgjet Pacolli, pasi i njëjti u kthye nga Lugano i Zvicrës dhe ateroi me aeroplanin e tij privat në Tiranë.

“Saktësisht nuk mund të them se ku ndodhet, dihet që ka ateruar në Tiranë. Saktësisht nuk kam informata, pasi ka dy orë që nuk kam folur me të”.

Por, si e sheh ai gjithë bujën që u bë për (mos)ardhjen dhe (mos)karantinimin e Behgjet Pacollit në Kosovë?

“Kjo është një non sens i llojit të vet. Nuk e di pse i bëjnë këto drama, nuk e di pse kjo qeveri duhet të trajtojë në këtë mënyrë një deputet, kryetar partie dhe ish-president të Republikës”.

“Kjo që ka ndodhur sot më së paku i është dashur skenës politike. Ky rast nuk është dashur të shihet nga prizmi politik, interesat politike dhe ngërçi politik që është krijuar”.

“Me këtë rast është cenuar e drejta e deputetit, sepse 120 deputetët e kanë një imunitet dhe në fund të fundit Kuvendi është mbi Qeverinë, prandaj nuk është dashur aspak të ndodhë”.

A do të ishte një trajtim ndryshe nga qytetarët e tjerë nëse do të lejohej që Behgjet Pacolli të futej në Kosovë pa u karantinuar?

“Larg asaj, presidenti Pacolli është një njeri që i kupton gjërat. Është i vetëdijshëm, një deputet, ka qëndruar tërë kohën i karantinuar në Zvicër, posedon dokumentacion mjekësor që ia lejon që të mos futet në karantinë. Në bazë të kësaj është dashur të mirëpritet dhe jo të refuzohet”.

“Sot kemi pasë lloj-lloj deklarata, sidomos ajo deklarata e deputetit [Artan Abrashi] që shprehet në mënyrë pezhorative për presidentin që është non sens i llojit të vet. Presidenti Pacolli nuk ka kërkuar diçka të jashtëzakonshme, por vetëm trajtim të denjë për një deputet dhe ish-president”.

Makolli ka folur edhe për deklaratat e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia ka deklaruar se ka provuar gjatë ditës së sotme të kontaktojë me Behgjet Pacollin.

“Unë i kam përcjellë deklaratat e minsitrit Vitia që janë ndërruar dy-tre herë. Dje ka thënë që është në rregull ardhja e Pacollit, më pas ka dalë me një deklaratë tjetër ku thotë se ‘duhet gjithsesi që të futet në karantinë në Qendrën e Studentëve’. A ka tentuar ministri Vitia që të flasë në telefon ose jo me Pacolli nuk e di”.

A do të jetë lideri i AKR-së në seancën kur do të votohet Qeveria?

“Mendimi im është që ai duhet të jetë. Po shihet si është elektrizuar kjo situatë, që aspak nuk është në rregull, dhe nuk mund të parashikoj asgjë. Sikur njerëzit që janë në qeveri dhe vendosin për këto gjëra të merrnin vendime në bazë të rregullave që vetë i kanë paraparë, presidenti Pacolli do të duhej të merrte pjesë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat