Deklarata e Samitit të Zagrebit: Asnjë fjalë për vizat e vetëm një fjali për dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale

Deklarata e Samitit të Zagrebit: Asnjë fjalë për vizat e vetëm një fjali për dialogun Kosovë-Serbi

Më: 8 maj 2020 Në ora: 15:59
Ilustrim

Pavarësisht pritjeve të mëdha që ishin krijuar rreth Samitit të Zagrebit sa i përket liberalizimit të vizave dhe çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, deklarata përfundimtare e nxjerrë nga pjesëmarrësit s’thotë gati asgjë për këto dy çështje.

Çështja e liberalizimit të vizave në deklaratën përfundimtare të këtij Samiti të organizuar nga BE nuk është përmendur fare, edhe përkundër faktit se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet prej vitesh.

Derisa një fjali e vetme i është kushtuar çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Në deklaratën përfundimtare të Samitit të Zagrebit edhe sa i përket kësaj çështje nuk është thënë asgjë relevante, vetëm është përshëndetur emërimi i Miroslav Lajçak si Përfaqësues Special i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor.

“Mirëpresim emërimin së fundmi të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, është fjalia e vetme në deklaratë në të cilën përmendet në mënyrë specifike çështja e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Rreth Samitit të Zagrebit ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ai ka treguar se kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka qenë e vetmja prej shteteve anëtare e cila shumicën e fjalimit të saj në Samitin e Zagrebit ia ka kushtuar problemit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kosovën në këtë Samit e ka përfaqësuar presidenti Hashim Thaçi, i cili ishte shprehur i lumtur që Kroacia kishte vendosur të organizonte një takim të tillë edhe përkundër situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Thaçi edhe para mbajtjes së Samitit kishte shprehur pritshmëritë e tij sa i përket një vendimarrje për liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe një kërkesë të tillë e ka përmendur edhe në diskutimin e tij në Samit.

Megjithatë një çështje e tillë s’është përmendur fare në deklaratën përfundimtare të Samitit.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat