“Kurti nuk është i kalibrit të udhëheqësve të luftës, zoti i marroftë që e vodhën deri në palcë vendin”

Aktuale

“Kurti nuk është i kalibrit të udhëheqësve të luftës, zoti i marroftë që e vodhën deri në palcë vendin”

Nga: A.Zh Më: 10 maj 2020 Në ora: 10:53
Albin Kurti

Profesori universitar Enver Hasani, e ka vlerësuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, si politikan me duar të pastra.

Por, Hasani ka thënë se diskursi i Kurtit nuk është liberal dhe nuk duhet të bëhen iluzione nëpërmjet librave për funksionimin e shtetit.

“Në politikë nuk është shumë mirë me lexu shumë libra. Sepse ata që lexojnë shumë e kanë hendikep që tentojnë të bëhen njëfarë lloji revolucionari. Diskursi i tij nuk është liberal. Ai duhet ta kuptojë një gjë që aktualisht Kosova është çështje e sigurisë dhe se nuk duhet të bëhen iluzione nëpërmjet librave për funksionimin e shtetit për shkak se tereni është i ndryshëm. Kur një ditë Kosova ta tejkalojë këtë fazën e çështjeve të sigurisë, atëherë vendi do t’i lypë njerëzit sikur Albin Kurti, i cili qeverisë me duar të pastra. Por, jo vetëm Albin Kurtin, por edhe shumë politikanë tjerë që janë nëpër partitë e tjera politike”, ka thënë Hasani për emisionin “Personale”.

Me vlerësimin e tij, po pajtohet edhe ushtaraku shqiptaro-amerikan Muharrem Maralusha.

Ai në një postim në Facebook, ka thënë se shoqëria e Kosovës, nuk ka prodhuar ende udhëheqës intelektual e të pakorruptuar.

Sipas tij, në 20 vitet e fundit udhëheqësit që erdhën në udhëheqësi të Kosovës, janë të prodhimit të luftës pa kurrfarë kapaciteti profesional ose moral me përjashtim të Kurtit, përcjell Bota sot.

Maralusha më tej ka hedhur akuza të rënda ndaj udhëheqësve të deritanishëm, duke thënë se ata e treguan vetën vetëm për të vjedhur vendin e tyre.

“Zoti i marroftë. Nuk mund ta paramendoj që një person aq shumë ia do të keqen popullit të vet”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë i Maralushës:

Pajtohem me vlerësimin e Profesor Enver Hasanit. Shoqëria kosovare ende nuk ka prodhuar udhëheqës intelektual, të pa korruptuar. Udhëheqësit në 20 vitet e fundit që erdhën në udhëheqësi të Kosovës, janë të prodhimit të luftës pa kurrfarë kapaciteti profesional ose moral.

Albin Kurti nuk është i këtij kalibri dhe kurrë nuk do ta gjej vendin e tij në një shoqëri të tillë. Jam i besimit se Profesor Enver Hasani pajtohet me mendimin tim se asnjëri prej politikanëve që doli si prodhim i luftës së fundit, këtu duke e përfshirë poashtu edhe Isa Mustafën - nuk janë të kualifikuar me e udhëheq një komb.

Këta të ashtu quajtur politikanë - e treguan veten vetëm për një gjë- e vodhën popullin dhe shtetin deri në kockë. Këta e treguan veten më të pamëshirshëm se Gjingis Kani. Gjingis Kani i vodhi vendet që i pushtoi, por këto hiena të prodhimit kosovar e vodhën vendin dhe popullin e vet... Zoti i marroftë. Nuk mundem me e paramendua që një person aq shumë ia do të keqen popullit të vet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat