“Mospublikimi i marrëveshjes me Listën Serbe mund të jetë taktiktë e LDK-së”

Aktuale

“Mospublikimi i marrëveshjes me Listën Serbe mund të jetë taktiktë e LDK-së”

Më: 12 maj 2020 Në ora: 19:22
Lista Serbe

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për bashkëqeverisje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismasocialdemokrate.

Përpos tyre, LDK një marrëveshje për bashkëqeverisje e ka siguruar edhe me Listën Serbe, por që kjo  nuk është bërë ende publike.

Kështu kanë deklaruar nga LDK, me premtimin se ajo do të bëhej së shpejti publike.

Analisti Albert Krasniqi, ka thënë se arsyeja për mospublikimin e marrëveshjes mund të jetë pjesë e një taktike të LDK-së që përkon me atë që ka bërë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke e trajtuar Listën Serbe vetëm si obligim kushtetues pa e pranuar si bashkëqeverisës zyrtar.

“Mos publikimi i marrëveshjes me Listën Serbe, nëse ekziston një e tillë deri tani, do duhej të publikoheshin të gjitha marrëveshjet dhe pikat e ndarja e pozitave, pra me cilët dikaster, cila parti politike do të udhëheqë në qeverinë e ardhshme. Kjo do t’i kontribuonte qartësisë para publikut kur kemi parasysh faktin se Lista Serbe në vazhdimësi është demonizuar për shkak të lidhjes që ka pasur me qeverinë në Serbi dhe duke mos përfaqësuar interesat e qytetarëve në Kosovë por interesat e qeverisë së Serbisë në institucionet e Kosovës. Në këtë aspekt ka një hezitim, pa e kuptu dhe qartësu se ata do të kenë të drejtën, pra ngurojnë ta bëjnë një publikim të marrëveshjes dhe mbase tentohet të përdoret ajo taktika e cila u përdorë prej qeverisë së kaluar Kurti, ku Listës Serbe iu ndanë pozitat ministrore në qeveri, madje dy përtej kriterit minimal që kërkohet prej Kushtetutës, por që zyrtarisht nuk e trajtuan si pjesë të koalicionit qeverisës por vetëm si një përmbushje të një obligimi kushtetues që e kanë ndaj komunitetit serb të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Nëse do të ketë LDK-ja 61 vota të nevojshme pa Listën Serbe, atëherë do ta përdorin një taktitë të tillë, gjë e cila do jetë e vështirë të arrihet brenda kësaj legjislature”, tha ai.

Gjykata Kushtetuese nga ana tjetër ka vënë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj, duke pezulluar zbatimin e Dekretit të Presidentit për emërimin e kandidatit të LDK-së për kryeministër.

E deri atëherë, Krasniqi thotë se mund të ndryshojë edhe disponimi i partive për koalicion.

Ai këtë e krahason me rastin e VLAN-it në 2014-ën, kur partnerët e koalicionit dështuan për qeveri të përbashkët.

“Nuk mund të përjashtohet që partnerët aktualë që po tentojnë të formojnë qeverinë të ndryshojnë qëndrime pas kësaj date dhe sidomos pas aktgjykimit nëse ai nuk do të jetë komplet në favor të LDK-së. Këtë e kemi pa edhe në rastin VLAN, ku aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ndryshoi edhe disponimin e partnerëve të koalicionit, ndonëse ata fillimisht dukeshin shumë të vendosur dhe i rezistuan për 6 muaj të mos shpartallohen dhe të krijojnë një qeveri të përbashkët, gjë e cila nuk ndodhi në fund”, shtoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat