Kurti në Suharekë premton ndihmë për prodhuesit vendorë

Aktuale

Kurti në Suharekë premton ndihmë për prodhuesit vendorë

Më: 21 maj 2020 Në ora: 13:40
Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka vizituar disa biznese në parkun industrial në Suharekë.

Kompania e këpucëve “Solid” dhe ajo e prodhimit të stiropolit “Graniti” ishin dy nga bizneset që e pa nga afër procesin e punës shefi i qeverisë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se përmes pakos emergjente fiskale dhe asaj të rimëkëmbjes ekonomike do ndihmohen prodhuesit në vend.

Derisa ofroi përkushtimin për ndihmë për prodhuesit vendor Kurti tha se kjo bëhet edhe përmes ndryshimit të disa ligjeve.

Kurti: Do të ndihmojmë prodhimin vendor

“Fabrika e ‘Solidit’ përafërsisht gjysmën e prodhimeve të veta i ka për tregun e brendshëm dhe gjysmën tjetër për tregun e jashtëm që flet për cilësinë e prodhimit, i cili lëndën e parë e merr nga Italia dhe pajisjet teknologjinë i ka nga Italia. Ka punëtorë e kuadro shumëvjeçare, të cilët kanë përvojë shumë të mirë profesionale. Ne shprehëm përkushtimin tonë që prodhimin vendas ta ndihmojmë e kjo duhet të reflektohet edhe në ligje të reja sa i përket prokurimit publik në mënyrë që të mos jenë të diskriminuar prodhimet vendore brenda vendit që po gjejnë pëlqimin edhe të shteteve tjera”, tha Kurti.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari u zotua se do të rregullojë ligjin për treg të brendshëm dhe të jashtëm, me qëllim që ato të jenë në të mirë të prodhuesve vendorë.

Hajdari: Do të rregullojmë ligjin për tregun e brendshëm dhe të jashtëm

“Zotohem si ministre e Ekonomisë se do të rregullojmë ligjin për tregun e brendshëm dhe të jashtëm, po ashtu dhe politikat industriale në favor të industrisë dhe prodhuesve tanë”, u shpreh Hajdari.

Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj premtoi se në dy vjetët e ardhshëm Zona industriale në këtë komunë do të bëhet zona më e mirë për shkak të investimeve që bëhen në atë pjesë. Ai tha se vetëm në Nëpërbisht breshëri dhe shiu kanë shkaktuar 400 mijë euro dëme, ndërsa duhet bërë vlerësimi edhe në fshatrat tjera.

Muharremaj: Zona e dytë industriale do të ketë 90 hektarë

“Kjo do të jetë zona më e mirë industriale dhe besoj që për dy vjetët e ardhshëm do të ketë edhe 500 punëtorë shtesë dhe do të ketë vend atraktiv, sepse po fillojmë me unazën që shpejt fillon dhe zonën përfundon dhe kemi kushte më të mira. Do të fillojmë edhe zonën e dytë industriale që do të ketë 90 hektarë”, tha ai.

Ndërsa, menaxherja për zhvillim në kompaninë e prodhimit të këpucëve “Solid”, Gresa Kuçi tha se procesi i punës në këtë kompani nuk është ndërprerë gjatë kohës së pandemisë, dhe se shpresojnë në përkrahjen e qeverisë.

Kuçi: Shpresojmë të mos ketë ndikim pandemia dhe të vazhdojmë eksportin

“Ne si kompani kemi vazhduar punën nuk e kemi ndërprerë procesin për shkak se kemi një cikël të punës që duhet mbajtur gjithë kohës dhe shpresojmë që pas këtij takimi ekonomia e Kosovës dhe prodhuesit vendorë do të ndihmohen që të mos ndalet ky zinxhir dhe ky proces të vazhdojë sikurse vitin e kaluar dhe të mos ketë impakt pandemia dhe të vazhdojmë eksportin”, tha ajo.

Kryeministri në detyrë sot ka vizituar edhe fermerët e këtij regjioni, të cilët janë dëmtuar nga breshëri dhe shiu. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat