"Kur Albini nuk mundi të qeverisë me LDK-në urtake, vështirë do ta bëjë edhe opozitën me PDK-në zevzeke"

Aktuale

"Kur Albini nuk mundi të qeverisë me LDK-në urtake, vështirë do ta bëjë edhe opozitën me PDK-në zevzeke"

Nga: H.O. Më: 25 maj 2020 Në ora: 08:34
Ilustrim

Publicisti Idriz Zeqiraj në një intervistë dhënë për “Bota sot” mes të tjerash ka folur edhe për një bashkëpunim të mundshëm LVV e PDK si opozitë. Zeqiraj thotë se koalicioni LVV-LDK ishte nga më të qëlluarit, më të pranuarit nga shqiptarët, madje, më shpresëdhënësit për shqiptarët. Sipas tij, nga LDK-ja, si parti e vjetër, e matur në vendime, mund të mësonte dhe përfitonte shumë LVV.

Bota sot: A besoni se LVV e PDK mund të bashkëpunojnë si opozitë?

 

Idriz Zeqiraj: Bërthama drejtuese e LVV shquhet për ngarkesë ideologjike majtiste, tërësisht, paradoksale, në kohë dhe hapësirë. Denoncimet e bëra nga të rebeluarit, brenda saj, tani, në PSD, për shkak të protagonizmit të ekstrem të liderit Albin Kurti, janë për të qarë dhe për të qeshur. Kthimi ke citatët demagogjike të Leninit dhe të Enver Hoxhës, janë anakronizëm, për epokën digjitale. LVV nga një organizatë grupore, dikur, rritja e saj gjeometrike, sot është masive, deri në fitoren e zgjedhjeve qendrore. Elektorati i saj është hetoregjen. "Ndër këto troje është përzier gjithfarë ujemi", - shkruan Azem Shkreli në romanin "Karvani i bardhër". Përveç të majtëve të rreshkur nga PDK-ja, të cilët nuk duruan liberalizmin, zbutjen e majtizmit në atë parti dhe u strehun në LVV, si bastion ekstrem majtist, tashmë, këtë subjekt e kanë begatuar edhe të tjerë. Janë brezi i ri, përfshi këtu edhe nga LDK-ja, të cilët nuk kanë asnjë ngarkesë ideologjike majtiste dhe, aq më pak bazë familjare të kësaj ideologjie. Thjeshtë, janë zhgënjyer nga sjelljet teknokrate, pasiviteti dhe vasaliteti i LDK-së, ndaj Hashim presidentit dhe partisë së tij. Kjo lëvizje e të rinjve, ka polarizuar edhe familjet, tradicionalisht të djathta, tani, fëmijët e tyre votojnë ndryshe nga prindërit. Mendoj se koalicioni LVV-LDK ishte nga më të qëlluarit, më të pranuarit nga shqiptarët, madje, më shpresëdhënësit për shqiptarët. Nga LDK-ja, si parti e vjetër, e matur në vendime, mund të mësonte dhe përfitonte shumë LVV. Numrat e bollshëm për qeverisje, garantonin përmbylljen e mandatit qeverisës, madje, mund të pretendonin edhe mandatin plus katër. Dibranët kanë një urtësi: "Një mendje - asnjë mendje; dy mendje - gjysmë mendje; tri mendje - një mendje". Dështimi spektakular i Kurtit në qeverisje, flet për egon e tij individuale, një mendësinë e tij në marrjen e vendimeve. Kur Prof. Mazllum Baraliu dhe ndoca figura tjera, iu bashkëngjitën LVV, mendova se do të ushtrojnë ndikim pozitiv, në maturimin e Kurtit. Por, çuditërisht, nuk ndodhi! Përkundrazi, Kurti i aktivizoi militantët ideologjikë, të cilët veçsa e nxitnin drejt së greminës.  Kur Albini nuk mundi të qeverisë me LDK-në urtake, vështirë do ta bëjë edhe opozitën me PDK-në zevzeke. Megjithatë, duke hyrë në folenë e SHIK-ut, për interesa në perspektivë, PDK-ja mund të bëjë kompromise, jashtë natyrës së saj. Në provën e parë të koalicionimit, LVV dështoi. Korri fitore meritore, por, nuk diti ta menaxhojë fitoren dhe zhgënjeu me fund. Lë të shpresohet në urtinë "pësimi të shërbejë si mësim". Kurti duhet të ndryshojë, sepse pa ndryshuar vet, nuk mund ta bëjë as ndryshimin e premtuar. Të bëhet më tokësor dhe kjo do të ishte e shëndetshme për atë dhe Kosovën. Bashkëpunimi në opozitë, është më i lehtë, se sa në pozitë. Kundërshtia ndaj pozitës, është më pak e përgjegjshme, se sa qeverisja, marrja e vendimeve. LVV ka dëshmuar se opozitarizmin e ka filluar me të tjerët. Dhe, kur të tjerët kanë stopuar, ajo ka vazhduar, madje, suksesshëm, e vetmuar. Kujtoni protestën e 29 shtatorit 2019, kur, edhe e vetme, mrekulloi me shumësinë e protestuesve, me stërmbushjen e bulevardit qendror të Prishtinës, në mbrojtje të territorit tokësor të Kosovës, të vënë në anëkand nga Hashim presidenti.  Lëvizja Vetëvendosje ishte e vetme në mbrojtje të Republikës. U përgjak në mbrojtje të Veriu të Mitrovicës; kundërshtoi 6-pikësin e Ban Ki Munit; ishte zëshme, deri në ndalimin e Zajednicës; kundërshtoi me forcën e protestimit zgjedhjen e Hashimit president; ngulmoi në kundërshtinë e Demarkacionit e, deri në kundërshtimin e ndarjes të Kosovës, dje dhe sot. Përgjatë mbrojtjes të Republikës, në protestat e dhunshme, LVV i bëri "kurbanë" edhe tre djemtë, aktivistë të saj të devotshëm. Pra, LVV, e specializuar në opozitarizëm; si fillestare, e suksesshme në qeverisje; por, dështake në menaxhimin e fitores meritore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat