Thaçi thotë se nuk do të marrë pjesë në negociata që udhëhiqen nga Lajçaku

Aktuale

Thaçi thotë se nuk do të marrë pjesë në negociata që udhëhiqen nga Lajçaku

Më: 26 maj 2020 Në ora: 14:19
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe sot e ka quajtur kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “uzurpator të paligjshëm” të zyrës së kryeministrit.

Presidenti Thaçi dje ka thënë se Albin Kurti ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike në vend.

Thaçi: Nuk mund ta quajmë ndryshe përpos uzurpator Kurtin

“Kurti në periudhën e tij të qëndrimit si kryeministër për 45 ditë derisa është shkarkuar nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës apo është ndëshkuar nga deputetët. Pra, gjatë atyre 45 ditëve ka bërë edhe dy shkelje të rënda kushtetuese. Kështu që një njeri që ka bërë dy shkelje të Kushtetutës, i shkarkuar dhe i ndëshkuar nga 2/3 e Kuvendit, nuk mund ta quajmë ndryshe përpos uzurpator dhe pa ligjshmërisht duke qëndruar në zyrë”, deklaroi Thaçi.

I pari vendit theksoi se ka ardhur koha që Kurti me grupin e tij të ballafaqohen me drejtësi, ndërsa shtoi se Kurti ka ardhur me yryshin e shkarkimit të presidentit, por ai ka me shkuar me shpejt se presidenti.

Thaçi: Kurti ka ardhur me yryshin e shkarkimit të presidentit

“Sot për vendimin e Gjykatës nuk do të komentoj asgjë, sepse po keqkuptohem dhe po keqinterpetohem shpesh edhe nga ju (mediat). Ai (Kurti) ka ardhur me yryshin e shkarkimit të presidentit, por patëm deklaruar edhe në atë kohë se ai ka me shkuar më shpejt se presidenti. Kështu që është koha që edhe Kurti dhe e tërë grupi e tij të përballen me drejtësinë për shkak të aktiviteteve kriminale dhe politike”, theksoi Thaçi.

Sa i përket dialogut, presidenti Thaçi tha se nuk mund të dihet kur do të nisë ai, por përkushtimi i SHBA-së është inkurajues, teksa shprehu kritika ndaj përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku theksoi se nuk do të marrë pjesë në procesin e dialogut që udhëhiqet nga Lajçak.

Thaçi: Nuk participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak

“Ne si vend i pavarur dhe sovran dhe si ekip i Kosovës duhet gjithmonë të kemi parametrat për të qenë të vetëdijshëm se ky vend është i lirë, është i pavarur, sovran por përball i kemi dy negociatorë të cilët vijnë nga dy vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa Lajçak edhe ka votuar kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNSECO. Prandaj, në këtë drejtim ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë, por edhe të bëjmë diferencimin e partnereve tanë strategjik se kush mund të përmbyll dhe kush ka kapacitet që të përmbyllë marrëveshjen dhe të implementoj marrëveshjen. Ndërsa, personalisht, unë si president i vendit do t’i përgjigjemi çdo ftese, në veçanti sa i përket samiteve nga presidenti Macron dhe kancelarja Merkel, por nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka dashur të komentojë takimin e kryeministrit Albin Kurti me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, në konferencën ku u pyet lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat