​Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë me parime

Aktuale

​Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë me parime

Më: 26 maj 2020 Në ora: 16:56
Vjosa Osmani dhe Pia Stjernvall

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, ku kanë diskutuar procesin e dialogut të ardhshëm, si dhe bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve.

Osmani tha se e çmon lart kontributin e Finlandës në procesin e pavarësimit dhe të ndërtimit të shtetësisë së Kosovës.

Me këtë rast, ajo e kujtoi kontributin e kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaarit, pastaj të të deleguarit special të udhëheqësit të OKB-së për Kosovën, Kai Eides etj.

Me ambasadoren Stjernvall kryetarja Osmani diskutoi procesin e dialogut të ardhshëm, si dhe bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve.

Sipas komunikatës së Kuvendit, sa i takon dialogut, kryetarja Osmani e njoftoi ambasadoren Stjernvall me qëndrimin e saj për një proces të mirëfilltë të dialogut, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke, si dhe me parime që respektojnë integritetin territorial të vendit tonë.

“Ne duam normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe jemi të gatshëm ta vazhdojmë dialogun, por kërkojmë që ai të jetë i strukturuar mirë dhe i bazuar në parime të qarta. Dialogu duhet ta përfillë kontekstin e raporteve mes dy vendeve tona”, tha Osmani.

Në anën tjetër, ambasadorja Stjernvall shprehu gatishmërinë e Finlandës për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Republikën e Kosovës.

Ajo shprehu po kështu gatishmërinë e vendit të saj për t’i mbështetur institucionet në përgatitjen për procesin e dialogut.

Po ashtu, ambasadorja shprehu vullnetin e saj që ta vazhdojë bashkëpunimin e mirë me Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat