Këshilltari i Kurtit: Presidenti nuk bisedon me Lajçakun, sepse ky është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve

Aktuale

Këshilltari i Kurtit: Presidenti nuk bisedon me Lajçakun, sepse ky është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve

Më: 27 maj 2020 Në ora: 13:05
Elvis Hoxha

Elvis Hoxha, këshilltari politik i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit të vendit, Hashim Thaçi i cili një ditë më parë tha se nuk ka vullnet që të marr pjesë në proceset negociuese që udhëhiqen nga Miroslav Lajcak.

Hoxha në një postim të tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se presidenti nuk bisedon me Lajçakun, jo sepse ky është prej një vendi që nuk e ka njohur Kosovën, por sepse ky është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve.

Siç shkruan ai, presidentit i nevojitej Federica Mogherini, sepse ajo ishte për shkëmbim territoresh.

“Presidenti nuk bisedon me Lajçakun, jo sepse ky është prej një vendi që nuk e ka njohur Kosovën, por sepse ky është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve. Presidentit i nevojitej Mogherini, sepse, edhe pse shteti i saj e kishte njohur Kosovën, ajo ishte për shkëmbim territoresh”, ka shkruar Hoxha.

Ndër të tjera ai thotë se presidentit i bën punë Isa Mustafa ose Avdullah Hoti, pasi sipas tij këta janë personat që nënshkruajnë lehtë çdo marrëveshje në dëm të sovranitetit territorial të Kosovës.

Ndryshe, të martën presidenti i vendit Hashim Thaçi pati deklaruar se nuk do të marr pjesë në proceset negociuese që udhëhiqen nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pasi nuk e njeh shtetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat