Durim Jasharaj: Kjo e nesërmja është test për protestë, jo protestë

Aktuale

Durim Jasharaj: Kjo e nesërmja është test për protestë, jo protestë

Më: 27 maj 2020 Në ora: 19:10
Durim Jasharaj

Në prag të asaj që u quajt ‘performancë’ së paralajmëruar për nesër nga Lëvizja Vetëvendosje, aktivisti i shoqërisë civile Durim Jasharaj është i bindur se mund të protestohet edhe në kohë pandemie.

“Duhet thënë që një grup i aktivistëve të shoqërisë civile, organizata të caktuara të shoqërisë civile kanë dalë me një qëndrim që edhe në kohë pandemie mund të protestohet dhe duhet të protestohet. Demokracia nuk mund të suspendohet dhe përjashtohet edhe në kushtet  në të cilat jemi si shoqëri”.

“Kemi pasë organizuar atë aksionin simbolik përmes krijimit të mundësisë në distancë prej dy metrave duke i shënjuar me pika të kuqe në mënyrë që të tregojmë që mund të organizohen protesta edhe në kohën që ishim. Ky ishte qëllimi jonë parësor dhe kryesor”.

“Pas asaj dite ka pasë disa organizime të cilat e kanë shfrytëzuar infrastrukturën e krijuar nga rrjeti i organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile. Besoj që ka qenë spontane në kuptimin që ne nuk i kemi organizuar protestat e tjera, sepse po t’i organizonim do të deklaroheshim që i kemi organizuar. Lidhshmëria e vetme është që të tjerët e kanë dëshmuar që protesta është e mundshme, kanë dëshmuar që aksioni jonë merr kuptim në sensin që ato pika e bënin të mundur realizimin e një të drejtë fundamentale për të shprehur pakënaqësinë ndaj një situate, sistemi ose vendimi”.

Ai ka insistuar se ‘performanca’ e paralajmëruar me pjesëmarrjen e 3500 personave është një test-protestë dhe jo protestë.

“Ajo që kemi bërë ne ka qenë shenjim i hapësirës përmes pikave të kuqe për të treguar që është e mundshme të protestohet. Ajo çka ka bërë Vetëvendosje ka qenë provë e një prove që tregon që është e mundshme të protestohet”.

“Edhe kjo e nesërmja është një provë për të treguar që është e mundshme të protestohet, madje tash edhe në kushte më të mira duke ditur që disa nga kufizimet janë larguar”.

A e mbështet këtë provë për protestë, siçe quan ai?

“Kjo është si të më pyesësh ‘A je në parim për të drejtën për të protestuar?’. Gjithmonë. Sigurisht. Kjo e nesërmja është një provë për protestë. Nëse më pyet a je për provë për protestë është si të më pyesësh ‘A je për protestën si formë demokratike për të shprehur pakënaqësinë?’. Gjithmonë do të jem për protestën si instrument për shprehjen e pakënaqësisë dhe indinjatës së qytetarëve”.

Ai është shprehur i bindur se motivi i kësaj test-proteste është dëshmia që mund të protestohet edhe me një numër më të madh të qytetarëve.

“Arsyeja dhe qëllimi është prova që mund të organizohet protesta. Është shumë më shqetësuese është deklarata e presidentit se sa prova e një proteste që mund të bëhet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat