​Thaçi akuzon Kurtin se kundërligjshëm po dërgon qytetarët e Shqipërisë në karantinë

Aktuale

​Thaçi akuzon Kurtin se kundërligjshëm po dërgon qytetarët e Shqipërisë në karantinë

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 18:51
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në largim Albin Kurti.

Kësaj radhe ‘mollë sherri” ndërmjet dy liderëve të shtetit është bërë vendosja në karantinë e shtetasve të Shqipërisë.

Këta të fundit pas hyrjes në territorin e vendit tonë, po dërgohen për qëndrim në karantinë për një javë.

E kjo ka zemëruar të parin e vendit që ka akuzuar kryeministrin në largim se po lejon hyrjen nga Serbia pa kurrfarë procedurash dhe në të njëjtën kohë ndaj shtetasve shqiptarë mban qëndrim krejtësisht ndryshe.

Madje, ai këto veprime i quan si shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar e kryeministrit.

Postimi i plotë në Facebook:

Albin Kurti derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës. Ai padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19. Po ashtu, me veprime shtesë, ai ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave.

Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë.

Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar! HTH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat