​Kuvendi konfirmon 61 votat për Qeverinë Hoti - Bota Sot
​Kuvendi konfirmon 61 votat për Qeverinë Hoti

Aktuale

​Kuvendi konfirmon 61 votat për Qeverinë Hoti

Më: 3 qershor 2020 Në ora: 07:33

(E plotësuar) -  Kuvendi i Kosovës ka hequr dilemat e ngritura nga mediat dhe shoqëria civile për votat e Qeverisë Hoti.

Kuvendi thotë se bazuar në praktikën e deritashme të Kuvendit, votimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të nënkryetarëve të Kuvendit dhe të qeverisë, bëhet me dorë.

Rrjedhimisht, Kuvendi nuk ka mbajtur as nuk mban evidencë me emra të deputetëve, të cilët marrin pjesë në këto votime.

Megjithatë, për shkak të interesimit të madh të mediave dhe kohës së gjatë deri në nxjerrjen e transkriptit, po pasqyrojmë rezultatet e votimit në seancën e sotme të jashtëzakonshme (03. 06. 2020), për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas grupeve parlamentare:

GP i LDK-së: prezentë 26 deputetë, munguan: Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli

Votimi: 25 për, 1 abstenim

GP i PDK-së prezentë: 24 deputetë

Votimi: 24 kundër

GP i AAK-së: prezentë 13 deputetë

Votimi: 12 për (deputetja Donika Kadaj-Bujupi e ka liruar sallën në kohën e votimit)

GP NISMA + AKR: prezentë 6 deputetë 6 për

GP i Listës serbe: prezentë 10 deputetë

Votimi: 10 për

Minoritetet jo serbe: prezentë 8 deputetë. Munguan: Zikreta Aliti dhe Elbert Krasniqi

Votimi: 8 për

Kuvendi votoi Qeverinë Hoti

Kabineti i ri qeverisës ka dhënë betimin.

Qeveria e re në krye me Hotin e cila mori 61 vota, pas votimit, të gjithë anëtarët e kabinetit qeverisës dhanë betimin.

Kryeministri Avdullah Hoti, para deputetëve tha se bashkë me partnerët e koalicionit do t’i shërbejnë qytetarëve.

“Do t’i shërbejmë popullit në këtë kohë pandemie, do të respektojmë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, u shpreh Hoti.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Qeverinë Hoti.

Me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi ka zgjedhur Qeverinë Hoti.

Në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët Kuvendit të Kosovës.

***

Seanca për votimin e Qeverisë, Avdullah Hoti prezanton kabinetin e tij qeveritar

I nominuari për kryeministër Avdullah Hoti ka prezantuar përbërjen e kabinetit të tij qeveritar gjatë ekspozesë në seancën e Kuvendit ku pritet të votohet qeveria e re.

Më poshtë mësojeni përbërjen e Qeverisë Hoti – nëse e njëjta votohet sot – që do të ketë katër zëvendësministra dhe 15 ministri.

Emrat e kësaj qeverie kanë dalë nga marrëveshjet e arritura mes partive LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe.

Kryeministër: Avdullah Hoti

Zëvendëskryeministri i parë: Besnik Tahiri

Zëvendëskryeministrat e tjerë: Driton Selmanaj, Albulena Balaj-Halimaj dhe Goran Rakiq

Ministri i Punëve të Brendshme – Agim Veliu

Ministre e Financave – Hykmete Bajrami

Ministri i Infrastrukturës – Arban Abrashi

Ministri i Shëndetësisë – Armend Zemaj

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa

Ministri i Mbrojtjes – Anton Quni

Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve – Vlora Dumoshi

Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës – Meliza Haradinaj-Stublla

Ministri i Drejtësisë – Selim Selimi

Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – Ramë Likaj

Ministër i Ekonomisë dhe Ambientit  – Blerim Kuçi

Ministër i Tregtisë dhe Industrisë – Vesel Krasniqi

Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale – Skender Reçica

Ministër për Kthim dhe Komunitete – Dalibor Jevtiq

Ministër i Zhvillimit Rajonal – Enis Kervan

***

Shefi i grupit parlamentar i LVV-së, Rexhep Selimi në foltoren e Kuvendit në seancën për formimin e Qeverisë së Re ka thënë se LDK-ja ka mashtruar qytetarët dhe vet parnerët e saj, pra VV-në.

Selimi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka thënë se është i padrejtë.

Ndërsa për presidentin Hashim Thaçi tha se permës kësaj qeverie po tenton të fitoj edhe një mandat për vazhdimin e postit.

“Seanca e sotme e thirrur për të formuar një qeveri është një inciativë për ta zhbërë verdiktin e qytetarët të 6 tetorit.

Ne sot kemi përballë ata që duan të bëjnë qeveri pa fituesin dhe qytetarin.

Qeveria që ju po tentoni është rrjedhë e mashtrimit të dyfishtë, mashtruan qytetin që duan ndryshim dhe neve, partneret tuaj.

Dekreti i presidentit është i pabazuar në Kushtetutë, por Gjykata Kushtetuese bëri një aktgjykim të padrejtë.

Vendimi i Gjykatës ishte i padrejtë dhe padrejtësia është padrejtësi. Qeveria që doni ta formoni është jo legjitime pasi ju vepruat kundër vullnetit të popullit, nuk e keni shumicën.

Ajo që doni ta formoni sot nuk është Qeveria Hoti e as Qeveria Thaçi 3 por është më shumë se kaq.

Nga kjo Qeveri presidenti po tenton ta fitoj edhe një mandat si president.

Ju qëllimet i keni të cekta por të rreikshme”, tha ai.

***

Sapo ka filluar seanca për formimin e Qeverisë së Re.

I nominuari për kryeministër Avdullah Hoti ka prezantuar plan programin qeverisës.

Ai në foltore të Kuvendit ka falënderuar stafin shëndetësor për punën e madhe që po bëjnë gjatë pandemisë dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve që kanë humbur jetën nga Covid-19.

Seanca po drejtohet nga nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala.

***

Ka nisur seanca për votimin e Qeverisë Hoti. 

Me propozim të Arben Gashi, deputetët janë ngritur në këmbë në një minutë heshtje në respekt të jetës së humbur të dy minatorëve gjatë ditës së djeshme.

***

Punimet i ka hapur nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, derisa kryetarja Vjosa Osmani mungon dhe ka autorizuar nënkryetarët për mbajtjen e seancës, përcjell Bota sot.

Shala ka thënë se nënkryetarja Arbërie Nagavci ka refuzuar ta udhëheq seancën, andaj do ta udhëheq ai.

​Deputetët nisin të hynë në Kuvend

Kur kanë mbetur edhe më pak se pak minuta kur pritet të fillojë mbajtja e seancës për votimin e Qeverisë së Kosovës, në Kuvend kanë nisur të vijnë deputetë të të gjitha partive.

Në Kuvend është parë duke hyrë kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, e cila nuk ka bërë të ditur nëse do ta drejtojë seancën kjo pritet që bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti të votohet për kryeministër.

Deputeti i PDK, Memli Krasniqi, ai i LVV Rexhep Selimi, si dhe deputetët e Listës Serbe janë parë duke hyrë në Kuvendit, si dhe deputetët e Nismës Socialdemokrate.

Sot seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, do t’i drejtohen serish ulëseve të tyre për të zgjedhur një qeveri të re pas rënies së asaj të Albin Kurtit, pas mocionit të mos besimit nga ana e partnerit të koalicionit qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E kjo e fundit është ajo që pritet të udhëheqë vendin nëse merr 61 votat e nevojshme për qeverinë e koalicionit me AAK-në, Nismën, Listën Serbe dhe komunitetet tjera jo serbe. Derisa PDK-së në opozitë pritet t’i bashkëngjitet Lëvizja Vetëvendosje që udhëhoqi vendin për vetëm 51 ditë, duke u bërë kështu qeveria me mandat më të shkurtër në vend që nga zgjedhjet e para të 2001.

Qeveria Kurti, e cila u rrëzua më 25 mars, ishte rezultat i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qeverinë e udhëhequr nga Kurti e kanë mbështetur 66 deputetë, ndërsa ka pasur 10 abstenime dhe asnjë kundër. Para votimit, partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate e kanë lëshuar sallën e Kuvendit.

Pas votimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe dhënies së betimit nga kryeministri dhe kabineti qeveritar, Albin Kurti tha se fillon një kapitull i ri për Kosovën.

Por, ky kapitull i ri nuk zgjati shumë dhe mori fund kur i pari i Qeverisë shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm nga radhët e LDK-së Agim Veliu për shkak të deklarimit të tij pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, të propozuar nga presidenti Hashim Thaçi për shkak të pandemisë me koronavirus.

Kështu, partia e Isa Mustafës vendosi t’i jep fund ‘kurorëzimit’ me Lëvizjen Vetëvendosje, duke kërkuar formimin e një qeverie të re.

Lëvizja Vetëvendosje nuk dha asnjë emër në të pesë letrat e dërguara nga ana e presidentit Hashim Thaçi për emrin e mandatarit për të krijuar kështu edhe një mundësi që të formojë një qeveri të re si parti e parë fituese.

E gjithë kjo bëri që kreu i vendit pas pesë letrave të nxjerrë dekretin për emrin e mandatarit, të cilin ia dha LDK-së si parti e dytë në zgjedhje.

Dekreti i të parit të vendit u pa antikushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e dërgoi në Kushtetuese duke pritur që të marrë një vendim pro kërkesës së saj.

Gjykata Kushtetuese, pasi fillimisht e pezulloi dekretin deri më 28 maj, në fund i dha të drejtën të presidentit Hashim Thaçi.

E gjithë kjo pritet të përfundojë në seancën e sotme të Kuvendit ku pritet të votohet Avdullah Hoti për kryeministër, të cilin pikërisht Albin Kurti e kishte shkarkuar pak orë pas votimit për rrëzimin e qeverisë së tij.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat