Qeveria e re në Kosovë, Bytyçi: Hoti do të rikthejë korrigjimin e kufijve

Aktuale

Qeveria e re në Kosovë, Bytyçi: Hoti do të rikthejë korrigjimin e kufijve

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 10:24
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Profesori i shkencave politike Enver Bytyçi ishte i ftuar në A2 ku komentoi zhvillimet e fundit në Kosovë pas votimit në Kuvend të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Profesori Bytyçi bëri një shpjegim të zhvillimeve që pritet të ndodhin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas tij dha një vendim të duhur, por që do ta thellojë krizën në vend.

Bytyçi deklaroi se një nga temat që qeveria Hoti do të hapë, do të jetë dhe ajo e korrigjimit të kufijve.

“Shumë zëra flasin se qeveria Hoti ka ardhur si rezultat i një projekti që do ta shtynte Kosovën drejt një zgjidhje të konfliktit me Serbinë përmes korrigjimit të kufijve, shkëmbimeve të territoreve, që do të thoshte ndarje të Kosovës. Zoti Hoti ka shpjeguar sot në qëndimet e tij se qeveria e re do të punojë duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila autorizon qeverinë për të kryesuar dialogun me Serbinë dhe për nënshkrimin e dokumentit përfundimtar.

Përvoja ka treguar se në Kosovë ka politikanë që e kanë përkrahur dhe nxitur një iniciativë të tillë për zgjidhje përmes ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territorit. Nuk është sekret të thuhet që iniciator i kësaj ideje ka qenë dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në kushtet e sotme Thaçi hesht, por heshtja e tij të çon në konkluzionet se ai vazhdon të insistojë në opsionin e ndarjes së Kosovës”, tha Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat