Vjen një reagim i ashpër nga Vetëvendosje për Qeverinë Hoti: E quan qeveri e kontrabanduar me ndërhyrje të Presidentit

Aktuale

Vjen një reagim i ashpër nga Vetëvendosje për Qeverinë Hoti: E quan qeveri e kontrabanduar me ndërhyrje të Presidentit

Nga: N. H Më: 8 qershor 2020 Në ora: 18:40
Albin Kurti

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherit anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Arbërie Nagavci, ka numëruar një sërë vendimesh të ish-Qeverisë Kurti duke i krahasuar me ato të Qeverisë aktuale.

Nagavci ka thënë se programi i Qeverisë Hoti i hapi rrugë presidentit Hashim Thaçi për udhëheqjen e dialogut me Serbinë.

Ajo madje shprehet e bindur se qytetarët do të reagojnë, dhe se thotë se ‘planet’ e kësaj qeverie nuk do të zbatohen.

“Nga reciprociteti me Serbinë tek nënshtrimi ndaj Serbisë akoma pa filluar dialogu, kjo pra është Qeveria jolegjitime, që kot dhe po i bënë planet me Presidentin e saj. Plane që s’do mund të realizohen, sepse qytetarët edhe një herë do t’ua tregojnë vendin”.

Ja postimi i saj:

Image
Arbërie Nagavci

Nga Qeveria demokratike me legjitimitet popullor tek Qeveria e kontrabanduar me ndërhyrje të Presidentit.

Me 6 mars 2020 Qeveria Kurti aprovoi Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2020-2023.
Një pjesë e veçantë e programit, saktësisht pika 12.3.2 përcaktonte angazhimet e Qeverisë në raport me dialogun, duke u bazuar në frymën e parimeve të reciprocitetit, përfshi këtu edhe çështjen e të pagjeturve, reperacioneve të luftës e okupimit. Në program përcaktohej poashtu edhe zëvendësimi i tarifave doganore me masat e reciprocitetit të plotë.

Me 15 mars 2020 Kuvendi miratoi Rezolutën e inicuar nga grupi parlamentar i LV! dhe grupi parlamentar i LDK-së, ku njëra nga tri pikat rikonfirmoi se është Qeveria e Repblikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheq bisedimet dhe dialogun me Serbinë.

Duke ditur qëndrimin parimor të Kryeministrit Kurti, duke pasur të votuar Programin qeverisës ku e zeza mbi të bardhë ishte e qartë se s’ka dialog pa parime, se s’ka cënim të sovranitetit, integritetit dhe shtetësisë së Republikës së Kosovës, Presidenti Thaçi e dinte se planet e tij s’mund të realizohet me këtë qeveri.
Duke pasur të qartë se me Albin Kurtin Kryeministër nuk ka pazare me Serbinë, se s’ka plane me harta e se ai nuk është faktori vendimarrës pa kushte, filloi Plani B. Presidenti u rikthye edhe një herë tek ata që dhe e bënë President, tek aleati i tij LDK.

Me 25 mars me iniciativë të LDK-së, u votua në Kuvend Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverisë Kurti.

Me 3 qershor 2020, pas ndërhyrjeve direkte të Presidentit Thaçi, me favorizime antikushtetuese, me vizita pas mesnate në shtëpi të deputetëve u votua qeveria e tij, Qeveria e udhëhequr formalisht nga zt.Hoti që për herë të parë ka në kabinet edhe një zëvendësministër të Listës Serbe.

Me 5 qershor, Qeveria Hoti Aprovon Programin Qeverisës ku fare nuk e përmend se është përgjegjësi e plotë e Qeverisë udhëheqja e dialogut, duke hapur kështu edhe formalisht rrugën për Presidentin Thaçi.

Me 6 qershor, Qeveria jolegjitime shfuqizon Vendimet e Qeverisë Kurti për Reciprocitet me Serbinë. Ky Vendim i Qeverisë Hoti përshëndetet menjëherë nga Thaçi, Vuçiq e Daçiq.

Pra nga 6 mars deri me 6 qershor, për vetëm tre muaj LDK nga Aprovimi i Programit Parimor të Qeverisë Kurti, nga të qenit pjesë e një Qeverie që ka buruar nga vullneti i qytetarëve, në mënyrë demokratike me zgjedhje të lira, kaloi tek heqja e reciprocitetit me Serbinë dhe formimit të një Qeverie jolegjitime me AAK, Lista Serbe, Nisma e të tjerët, tek Qeveria e Thaçit.

Nga reciprociteti me Serbinë tek nënshtrimi ndaj Serbisë akoma pa filluar dialogu, kjo pra është Qeveria jolegjitime, që kot dhe po i bënë planet me Presidentin e saj. Plane që s'do mund të realizohen, sepse qytetarët edhe një herë do t'ua tregojnë vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat